AGK dhe IHS përmbyllin nismën për avancimin e raportimit mbi sëmundjet kronike jongjitëse
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), në bashkëpunim me Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS Project), mbajti sot në Prishtinë tryezën përmbyllëse “Përtej kryetitujve”, e cila shënoi përfundimin e një nisme të përbashkët që gjatë viteve të fundit ka synuar fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet gazetarëve dhe profesionistëve të shëndetësisë, si dhe avancimin e raportimit për sëmundjet kronike jongjitëse dhe tema të tjera me rëndësi për shëndetin publik.
Në hapje të aktivitetit, të pranishmëve iu drejtuan Linda Baleta, Eksperte e Lartë për Avokim në IHS, Getoarbë Mulliqi, Drejtoreshë Ekzekutive e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, dhe Dr. Ardita Baraku, Drejtoreshë e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Në fjalët e tyre u theksua rëndësia e krijimit të urave të qëndrueshme të komunikimit ndërmjet medias dhe profesionistëve të shëndetësisë, me qëllim që publikut t’i ofrohen informacione të sakta, të kuptueshme dhe të bazuara në ekspertizë.
Pjesa qendrore e konferencës iu kushtua diskutimit “Gazetaria, sëmundjet kronike jongjitëse dhe storiet që kanë rëndësi”, i moderuar nga Getoarbë Mulliqi. Përmes katër bashkëbisedimeve të shkurtra, ekspertë të shëndetësisë dhe gazetare që kanë qenë pjesë e nismës reflektuan mbi përvojën e tyre të bashkëpunimit, sfidat e raportimit të temave komplekse shëndetësore dhe nevojën që këto çështje të trajtohen përtej lajmit të ditës.
Në diskutime morën pjesë Arbreshë Uka, Dr. Faik Hoti, Qëndresë Uka-Matoshi, Fekrije Hasani, Bubulina Peni, Dr. Ardita Baraku, si dhe Jehona Hulaj. Bashkëbisedimet u fokusuan në mënyrën se si ekspertiza profesionale mund të përkthehet në përmbajtje të qasshme për qytetarët, në rëndësinë e zërit të pacientit dhe të tregimeve njerëzore në raportimin shëndetësor, si dhe në rolin e gazetarisë në informimin, ndërgjegjësimin dhe nxitjen e debatit publik për parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike jongjitëse.
Në kuadër të aktivitetit u bë gjithashtu prezantimi i numrit special të revistës “Shëndeti”, nga Dr. Ardita Baraku dhe gazetarja Merita Miftari, ndërsa konferenca vazhdoi me një diskutim dhe reflektim të përbashkët me Linda Baletën, mbi rezultatet e nismës dhe mundësitë për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve të medias dhe sektorit të shëndetësisë.
Përmes këtij bashkëpunimi, AGK dhe IHS kanë synuar që gazetarëve t’u ofrojnë më shumë platforma, burime profesionale dhe qasje tek ekspertët e fushës, ndërsa profesionistëve të shëndetësisë t’u krijojnë një hapësirë më të afërt bashkëpunimi me median. Gjatë nismës janë realizuar intervista, artikuj dhe hulumtime gazetareske, opinione të ekspertëve dhe aktivitete për ngritjen e kapaciteteve, me synimin që temat e shëndetit publik të trajtohen me më shumë kontekst, saktësi dhe përgjegjësi profesionale.
Nisma është realizuar në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe Shërbimeve Shëndetësore të Integruara (IHS), projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i implementuar nga Swiss TPH. Mirënjohje e veçantë për Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Ministrinë e Shëndetësisë, Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Spitalin e Përgjithshëm të Pejës dhe Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës, për bashkëpunimin, ekspertizën dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm në realizimin e aktiviteteve dhe përmbajtjeve të zhvilluara në kuadër të kësaj nisme.











