News

Kuvendi të përmirësojë projektligjin për KPM-në pas qortimit të ashpër nga ana e Këshillit të Europës


3378-title

Këshilli i Europës ka përgatitur një opinion ligjor për projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM) dhe ka konfirmuar që disa aspekte të projektligjit nuk janë në përputhje me standardet më të mira europiane. Opinioni ligjor që mban datë 24 maj 2024 dhe është përgatitur për nevoja të Komisionit për Media të Kuvendit të Kosovës dhe konfirmon në tërësi shqetësimet tona të ngritura publikisht përmes konferencës për shtyp të mbajtur më 1 shkurt 2024.

Aspektet kryesore të kritikuara nga Këshilli i Europës janë: ndryshimi i projektligjit për KPM-në pa koncept dokument në kundërshtim me rregulloren e qeverisë, mënyrën e definimit dhe rregullimit të mediave online, ndryshimet rrënjësore në përbërjen, emërimin, mandatin dhe shkarkimin e anëtarëve të KPM-së, largimin e kufizimit ligjor që në të kaluarën ia pamundësonte partive politike dhe bashkësive fetare hapjen e televizioneve dhe radiove dhe mungesën e transparencës gjatë nismës legjislative.

Ne shprehim keqardhjen tonë për qortimin që i është bërë shtetit të Kosovës nga ana e Këshillit të Europës, institucion ky në të cilin Kosova synon të anëtarësohet. Qortimi është rezultat i tendencës së qeverisë dhe shumicës parlametare për të kontrolluar mediat dhe rregullatorin e mediave (KPM) përmes këtij projektligji dhe refuzimit të qëllimshëm të Zyrës së Kryeministrit për të përfshirë industrinë e medias dhe shoqërinë civile në fazat e hershme të nismës legjislative.

Mediat online që publikojnë video

Sipas opinionit, definicioni i ri i shërbimeve mediale audiovizuale online i paraparë në projektligjin për KPM-në është problematik, sepse bashkon të gjitha llojet e mediave në një grup dhe si i tillë është i panevojshëm. Draftligji ia ndryshon kuptimin “shërbimeve të mediave audio vizuele” që është menduar me ligjet e Bashkimit Europian, duke shtuar kështu lloje të reja të mediave, prandaj edhe duhet të largohet.

Sipas KiE-së, mediat online që publikojnë video nuk duhet të rregullohen njëjtë sikur televizionet dhe radiot dhe atyre mund t’iu kërkohet të regjistrohen në KPM vetëm nëse për to ka përfitime si për shembull: qasje në fonde publike, mbëshetetje apo akreditim i gazetarëve.

Opinioni i KiE-së konfirmon qartë shqetësimin e ngritur nga ne se licensimi apo regjistrimi i mediave online që publikojnë video, i shoqëruar me obligimin për të kërkuar leje nga KPM-ja për ndryshimin e pronësisë dhe mundësinë e gjobitjes deri në 40,000 euro nuk është në pajtim me standardet europiane.

Përbërja, mandati dhe shkarkimi i anëtarëve të KPM-së

Sipas opinionit ligjor, propozimi që zgjedhja e kryetarit të KPM-së, të bëhet nga Kuvendi mund të rrisë ndikimin politik në KPM dhe një gjë e tillë nuk është në pajtim me standardet europiane dhe ato rajonale.

Tutje, në lidhje me mandatin katër vjeçar të anëtarëve të KPM-së, opinioni i referohet qëndrimeve të zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Europian (OSCE), të cilat kishin ngritur shqetësim se një gjë e tillë do reflektonte me ndikim politik. Në lidhje me rritjen e numrit të anëtarëve nga shtatë në 11, në opinion thuhet se mbetet e paqartë se përse është propozuar një gjë e tillë. Aty përmenden shembujt e rregullatorëve në Irlandë, Holandë dhe Itali ku rregullatorët përbëhen nga tre deri në maksimum nëntë anëtarë. Këshilli i Europës rekomandon që në vend se të rritet numri i anëtarëve, duhet të rritet stafi civil i KPM-së dhe kompetencat e zyrës ekzekutive.

Në fund, sipas opinionit propozimi që kryetari i KPM-së të shkarkohet nëse nuk aprovohet raporti vjetor i këtij institicioni është tejet problematik dhe është mjet arbitrar, sipas së cilit Kuvendi mund të shkarkojë dhe zëvëndësojë gjithë përbërjen e KPM-së bazuar në kritere të padefinuara dhe një gjë e tillë nuk është në pajtim me standardet europiane.

Hapja e televizioneve dhe radiove nga partitë politike dhe bashkësitë fetare

Largimi i nenit që ndalonte licensimin e televizioneve dhe radiove nga partitë politike është një kthim prapa në standardet tashmë të vendosura në Kosovë. Duke iu referuar disa instrumenteve ndërkombëtare, opinioni rekomandon fuqishëm që të rikthehet neni që ua ndalonte partive politike të drejtën e hapjes së televizioneve dhe radiove.

Në lidhje me bashkësitë fetare, opinioni citon një rekomandim të Këshillit të Europës sipas së cilit, shtetet duhet të përcaktojnë korniza ligjore që ua ndalojnë grupeve të fuqishme politike, ekonomike apo fetare që të fitojnë dominim në media dhe të ushtrojnë presion në to.

Mungesa e konsultim dhe përfshirje së shoqërisë civile në draftimin e ligjit

Sipas opinionit ligjor, është e paqartë deri në çfarë mase janë konsultuar akterët kryesorë gjatë draftimit dhe nëse ka pasur shpjegime për pranimin ose jo të vërejtjeve të tyre. Opinioni përmend standardet e Këshillit të Europës në lidhje me konsultimet, sipas së cilave standarde shtetet dhe autoritetet publike gjatë draftimit të legjislacionit duhet të lejojnë pjesëmarrje të plotë të mediave dhe shoqërisë civile, të organizojnë dëgjime publike dhe konsultime, të ftojnë dhe dëgjojnë të gjithë akterët, të lejojnë kohë të mjaftueshme për t’u përgjigjur, të publikojnë rezultatet e konsultimeve dhe të ofrojnë sqarime për pranimin ose mos pranimin e rekomandimeve nga aketërt e jashtëm.

Si praktikë e mirë përmendet Grupi Punues në Mal të Zi, i përbërë nga 25 përfaqësues të cilët kishin punuar në ndryshimet e ligjeve për media për 2 vjet, duke zhvilluar më shumë se 25 takime. Mirëpo, meqenëse është vonë për të krijuar një grup punues, opinoni ligjor rekomandon që definicioni i shërbimeve audio-vizuele të kthehet siç kanë qenë fillimisht me draftligjin e parë [pa mediat online që publikojnë video] dhe ndryshimi i këtij aspekti të bëhet në një fazë më të vonshme.

Ne përshëndesim bashkëpunimin dhe gatishmërinë e Këshillit të Europës, Bashkimit Europian dhe OSBE-së që të ofrojë ekspertizë ndërkombëtare dhe shpresojmë që do të ketë vullnet politik për përmirësimin e projektligjit deri në atë masë sa të jetë plotësisht në përputhje me standardet me të mira europiane.

Rikujtojmë Qeverinë dhe Parlamentin që Kosova ka shënuar rënie alarmante në Indeksin e Reporerëve Pa Kufij për 19 rënie, dhe se nisma për të ndryshuar Projektligjin e KPM-së ka kontribuar në këtë rënie.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK

Flutura Kusari, juriste e të drejtës së medias

Share this Post: