Telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të gazetarit dhe publicistit, Daut Dauti
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka pranuar me pikëllim lajmin për ndarjen nga jeta të gazetarit, publicistit, historianit dhe studiuesit Daut Dauti, i cili ndërroi jetë sot në Londër.
Dauti la pas një veprimtari të pasur profesionale dhe intelektuale. Karrierën në gazetari e nisi në gazetën studentore “Bota e Re”, për ta vazhduar në “Zëri”, ku nga viti 1994 deri më 1999 ishte korrespondent nga Londra. Ai ishte gjithashtu gazetar dhe redaktor në Institute for War and Peace Reporting (IWPR), si dhe gjatë viteve 2000–2002 shërbeu si Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës.
Krahas gazetarisë, Dauti dha kontribut të rëndësishëm edhe në publicistikë, historiografi dhe studime, duke lënë pas libra, analiza dhe punime që trajtojnë Kosovën, çështjen shqiptare, mediat dhe marrëdhëniet shqiptaro-britanike. Veprimtaria e tij profesionale, e zhvilluar mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe, përbën një pjesë të vlefshme të trashëgimisë së gazetarisë dhe mendimit publik shqiptar.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Dauti, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që patën rastin ta njohin dhe të bashkëpunojnë me të.











