AGK-ja dënon përcjelljen dhe kërcënimin ndaj ekipit të Tëvë 1 në Zveçan
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është njoftuar për një incident gjatë ditës në veriun e Kosovës, kur një ekip i televizionit Tëvë1 është përcjellur dhe kërcënuar.
Gazetari Venhar Isufi dhe kameramani Valmir Gashi kanë raportuar se ata janë ndjekur nga një veturë e tipi Audi A4, ngjyrë e zezë e cila është ndaluar para objektit të komunës së Zveçanit, dhe aty një person u ka thënë "nëse donin foto me zyrtarin policor, G.K", për të cilin kishte një raport televiziv një natë më parë.
AGK-ja e dënon fuqishëm këtë sjellje të individëve që janë pjesë e organeve të sigurisë së Kosovës, dhe e vlerëson si mënyrë të papranueshme të frikësimit ndaj gazetarëve për ta bërë punën e tyre.
Ekipi i gazetarëve e ka raportuar rastin në Polici, dhe AGK-ja kërkon nga organet e rendit hetim të plotë dhe të shpejtë.
Gazetarët duhet te jenë në gjendje ta bëjnë punën e tyre të papenguar, në secilën rrethanë.











