Lajmet

AGK-ja dhe UNMIK-u organizuan takimin e parë në kuadër të projektit "From media, for media"


3584-title

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), në bashkëpunim me Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK, gjatë fundjavës organizoi takimin e parë në kuadër të projektit “From media, for media”. Ky projekt ka për qëllim krijimin e një udhëzuesi/rregulloreje për funksionimin dhe forcimin e standardeve profesionale të mediave në Kosovë.

Në këtë takim AGK-ja u përfaqësua nga Kryetari i Bordit, Xhemajl Rexha, Nënkryetarja e Bordit, Naile Dema Selmani dhe anëtarja e Bordit, Blerta Dalloshi Berisha. Kryetari i AGK-së, z. Rexha, e cilësoi projektin e përbashkët me UNMIK-un si një përpjekje të rëndësishme për të unifikuar redaksitë përmes rregulloreve funksionale dhe për të përforcuar standardet profesionale në raportim dhe rregullim.

Gjatë takimit u theksua se projekti përfshin tri komponentë kryesorë: hartimin e politikave dhe rregulloreve të funksionimit, promovimin e dialogut ndëretnik në media dhe luftimin e gjuhës së urrejtjes, përmes trajnimeve dhe monitorimit të mediave në gjuhën shqipe dhe serbe. Nënkryetarja e AGK-së, Naile Dema Selmani, deklaroi se synimi kryesor është të krijohet një qasje gjithëpërfshirëse dhe se një dokument i tillë do të ishte i mirëpritur nga të gjitha mediat.

Nikola Gaon, zyrtar për informim publik në UNMIK, tha se ky projekt përfaqëson vazhdimësinë e punës së mëparshme të realizuar nëpërmjet forumit për ndërtimin e besimit. Sipas tij, ideja kryesore nuk është thjesht rregullimi i mediave, por krijimi i një udhëzuesi që u ofron asistencë mediave në zhvillimin e politikave redaktoriale.

Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme, përfshirë Komisionin e Pavarur të Mediave, Agjencinë për Informim dhe Privatësi, Universitetin e Prishtinës – Dega e Gazetarisë, si dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe mediave që operojnë në Kosovë. U diskutua edhe mundësia që ky udhëzues të shërbejë si një dokument mbështetës për punën e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

Një listë parimesh të përgjithshme u propozua për t’u përfshirë në udhëzues, duke theksuar nevojën për pajtim dhe konsensus nga të gjitha mediat. Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias, theksoi se një dokument i tillë do t’i ndihmonte mediave që të përmbledhin dhe formalizojnë rregullat ekzistuese në një dokument të vetëm me parime dhe standarde universale për çdo medium.

Ky projekt mbështetet nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK, i cili do të vazhdojë me takime dhe aktivitete të tjera në muajt në vijim.

Share this Post: