Lajmet

AGK pjesë e prezantimit të Udhëzuesit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Media


4176-title

Sot, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) prezantoi Udhëzuesin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Media, një dokument që synon t’u shërbejë mediave dhe gazetarëve si mjet praktik për balancimin e mbrojtjes së të dhënave personale me lirinë e shprehjes, informimit dhe interesin publik.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u përfaqësua nga Drejtorja Ekzekutive, Getoarbë Mulliqi, në diskutimin me përfaqësues të mediave, shoqërisë civile dhe institucioneve, ku u theksua nevoja që çështjet që lidhen me privatësinë, mbrojtjen e të dhënave personale dhe etikën në raportim të trajtohen në mënyrë më të strukturuar dhe afatgjatë. Gjatë diskutimit u ngrit edhe nevoja që këto tema të institucionalizohen që nga edukimi i gazetarëve të ardhshëm, përfshirë mundësinë e integrimit të tyre në kurrikulat e shkollave dhe programeve të gazetarisë, në mënyrë që standardet profesionale dhe etike të jenë pjesë e formimit të tyre që në fillim.

AGK dhe AIP u bënë thirrje edhe një herë mediave dhe gazetarëve që të respektojnë kodet e etikës dhe standardet profesionale gjatë raportimit, veçanërisht kur publikimet përfshijnë të dhëna personale dhe çështje të ndjeshme të privatësisë.

Njëkohësisht, mediat u inkurajuan që Agjencinë për Informim dhe Privatësi ta shohin si partner profesional në trajtimin e dilemave që mund të lindin gjatë raportimit, si dhe të mbështeten në Udhëzuesin e prezantuar sot, i cili përmbledh standardet ndërkombëtare dhe i përshtat ato me kontekstin dhe praktikën mediale në Kosovë.

AGK do të vazhdojë bashkëpunimin me komunitetin për të avancuar standardet profesionale, duke ruajtur në të njëjtën kohë si të drejtën e publikut për t’u informuar, ashtu edhe të drejtën e individëve për privatësi.

Udhëzuesin mund ta gjeni këtu: https://aip.rks-gov.net/.../udhezues-per-mbrojtjen-e-te.../

Post Gallery

Share this Post: