Lajmet

Bollëk frutash, boshllëk punëtorësh – rendimenti rrezikohet


4161-title

Shkruan: Diellëza Berisha

Nëpër fushat e mbushura me mjedra, dredhëza, manaferra e boronica, mes gjelbërimit të këtyre kulturave mungojnë duart që i mbledhin, ritmi i punës që dikur i jepte jetë sezonit. Mungesa e punëtorëve është bërë boshllëk që po e kthen bollëkun në barrë. Në këtë kontrast lidhet një historik që prek ekonominë rurale, kulturën e punës dhe mbi të gjitha të ardhmen e fuqisë punëtore.

Frutat e imëta që konsiderohen “ylli i eksportit”, në Kosovë në dekadën e fundit kanë pasur këtë sfidë. Ministria e Bujqësisë në Raportin e Gjelbër 2025 thekson se emigrimi i të rinëve dhe joaktiviteti i popullsisë rurale po e përkeqësojnë situatën. Andaj çmimet në fermë shpesh nuk mbulojnë kostot e prodhimit kur ka mungesë të fuqisë punëtore. Në raport nënvizohet nevoja për digjitalizim të bujqësisë dhe trajnime për punëtorët sezonë që një hap më larg problemit paraprak dhe ekzistencial për prodhimtarinë vendore. Ndryshe sic evidentohet ky është sektor strategjik për eksport por pa punëkryes rrezikohet humbja e prodhimit.

Se nuk kanë forcë punëtore e pranojnë edhe vet fermerët që po përballen më këtë problem. Defrim Rrahmni që merret me kultivimin e mjedrrave që disa vite në Kosovë thotë se jo rrallë herë puna e motmotit i shkoi dëm për këtë arsye.

“Sfida kryesore kanë qenë punëtorët. Ne iu bëjmë pagesën kur ata e kërkojnë, iu ofrojmë ushqim dhe mbulojmë shpenzimet e transportit. Megjithatë, kam pasur raste kur fusha e mbushur me mjedra ka mbetur e shkretë, pa u mbledhur, për shkak të mungesës së punëtorëve. Tash çmimet janë më të arsyeshme dhe punëtorët nuk paguhen keq”, bën të ditur Rrahmani.

Teksa fermeri Ekrem Rrahmani që prodhon edhe dredhëza tregon se pas problemit qëndron emigrimi i punëtorëve jashtë.

“Liberalizimi i vizave e ka bërë punën e vet: ka krijuar një mungesë të dukshme të punëtorëve në treg, pasi shumë prej tyre kanë zgjedhur të shkojnë jashtë vendit. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se puna ka mbetur pa duar. Në përgjithësi, ata që kanë vullnet dhe dëshirë për të punuar, do të gjejnë mundësi dhe do të vazhdojnë të kontribuojnë”, pohoi ai.

Kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi tregon se rezultatet e punws kanë filluar të përgjysmohen.

“Grumbullimi i këtyre produkteve është shumë problematik. Fermerët shpesh llogarisin vetëm fuqinë punëtore brenda familjes, sepse mungesa e punëtorëve ka qenë e madhe. Pagat kanë qenë të vogla, shpesh të vonuara dhe pa siguri. Edhe pse disa fermerë kanë rendimente të mira, mungesa e punëtorëve i ka detyruar të zvogëlojnë prodhimin deri në 50%. Shumica e punëtorëve kanë dalë jashtë vendit, prandaj nëse ke sipërfaqe të madhe të mbjellur dhe nuk ke ndihmën e familjes, nuk mund të llogarisësh prodhim të sigurt”, thotë Azemi.

Ndërsa një kompani që merret me kultivimin, grumbullimin, përpunimin e eksportin e frutave të imëta potencon se kjo gjendje mund të përkeqësoshet deri në nivelin e kërkimit të punëtorëve të huaj.

“Nëse trendi aktual vazhdon, angazhimi i punëtorëve të huaj nuk përjashtohet si mundësi në të ardhmen. Por kjo nuk është një zgjidhje pa kosto. Përveç pagës, për një punëtor të huaj duhet të merren parasysh procedurat administrative, akomodimi, transporti, integrimi dhe organizimi i përgjithshëm i qëndrimit dhe punës së tij. Prandaj, për bizneset dhe fermerët, kjo është një alternativë që duhet analizuar mirë ekonomikisht”, thonë Alkona Hasani nga Joni SH.

Në anën tjetër ata theksojnë se ka mungesë edhr të punëtorëve profesionist.

“Problemi që hasim më shumë është mungesa e punëtorëve të kualifikuar dhe kompetentë, të cilët e njohin mirë procesin e punës dhe mund të marrin përgjegjësi profesionale. Kur flasim për sektorin në përgjithësi, situata është më shqetësuese te prodhimi primar dhe sidomos te vjelja. Aty mungesa e fuqisë punëtore është shumë më e madhe dhe është bërë gjithnjë e më e dukshme gjatë viteve të fundit”, thuhet në përgjigje.

Nga kjo firmë tregojnë nuk ka interesim për këtë punë meqë konsiderohet e rëndë.

“Një prej arsyeve kryesore është ndryshimi i tregut të punës dhe orientimi i gjeneratave të reja drejt sektorëve të tjerë, veçanërisht teknologjisë dhe profesioneve që perceptohen si më tërheqëse dhe më pak të rënda fizikisht. Puna në bujqësi, sidomos gjatë vjeljes, është sezonale dhe kërkon angazhim fizik intensiv. Për këtë arsye, çdo vit është më e vështirë të gjendet numri i nevojshëm i punëtorëve”, thotë ajo.
Ndryshe theksojnë se fermërët po zvogëlojnë sipërfaqer me të mbjella pikërisht sepse përballen me këtë sfidë.
“Kjo tashmë po ndikon edhe në vendimet e fermerëve. Kur fermeri nuk është i sigurt se do të ketë kush t’ia vjelë prodhimin, ai mendon dy herë para se ta zgjerojë sipërfaqen e mbjellë. Prandaj mungesa e fuqisë punëtore nuk është vetëm problem punësimi, por po shndërrohet në problem të kapacitetit prodhues të sektorit”, pohon Hasani.

Kësisoj kjo gjendje refleton drejpërdrejt në uljen e eksportit.

“Problemi fillon në parcelë. Nëse fermerët kanë vështirësi të sigurojnë punëtorë për vjelje, kjo ndikon në sasinë që mund të mblidhet në kohën optimale dhe, në afat më të gjatë, në gatishmërinë e tyre për të mbjellë dhe zgjeruar sipërfaqet.Për një industri përpunuese, më pak prodhim vendor nënkupton më pak lëndë të parë për përpunim dhe eksport. Pra, problemi i fuqisë punëtore në bujqësi përfundimisht reflektohet në të gjithë zinxhirin e vlerës”, pohon kjo firmë.

“Në radhë të parë duhet të ketë më shumë mbështetje për mekanizimin dhe automatizimin e bujqësisë, aty ku është teknikisht e mundur, në mënyrë që prodhimi të mos varet në të njëjtën masë nga puna manuale.Duhet gjithashtu të krijohen politika që e bëjnë punën sezonale më tërheqëse dhe më të organizuar, si dhe programe konkrete për aftësim profesional. Në industri ne kemi nevojë jo vetëm për njerëz me diploma, por për njerëz që dinë ta bëjnë punën. Kjo kërkon një lidhje shumë më të fortë ndërmjet arsimit profesional dhe nevojave reale të bizneseve. Në të njëjtën kohë, fermerëve duhet t’u krijohet siguri që investimi në zgjerimin e prodhimit ka perspektivë afatgjatë”, bën të ditur Hasani.

Në Raportin e Gjelbër, rekomandohet krijimi i skemave për punëtorë sezonalë, me paga të sigurta dhe të rregullta, për të shmangur vonesat dhe pasigurinë që kanë karakterizuar vitet e fundit. Raporti sugjeron gjithashtu trajnime për anëtarët e familjeve të fermerëve, në mënyrë që ata të përfshihen më shumë në procesin e grumbullimit dhe të mos mbeten të varur vetëm nga punëtorët e jashtëm.

Një tjetër masë është nxitja e kthimit të punëtorëve nga emigracioni sezonal, përmes kushteve më të mira të punës dhe pagesave konkurruese. Ndryshe theksot se mungesa e fuqisë punëtore ka detyruar shumë fermerë të zvogëlojnë rendimentin deri në 50%, prandaj stabilizimi i këtij segmenti është kritik për të siguruar prodhim të qëndrueshëm dhe eksport të besueshëm.

Ky artikull është realizuar në kuadër të programit EREA që implementohet nga Caritas-i Zviceran dhe financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim.

Share this Post: