Lajmet

Dhuna gjinore në familje: Si ndikon dhe si mund të parandalohet?


3588-title

Shkruan: Besarta Jashari

Dhuna me bazë gjinore mbetet një ndër sfidat më të mëdha sociale në Prishtinë, duke prekur kryesisht gratë dhe vajzat.
Sipas të dhënave të fundit të Policisë së Kosovës, vetëm në periudhën janar-tetor 2024, janë regjistruar 2,574 raste të dhunës në familje në nivel kombëtar, ku mbi 80% e viktimave janë gra.

“Policia e Kosovës, që nga themelimi i saj, i ka trajtuar dhe vazhdon t’i trajtojë me seriozitetin e duhur rastet e dhunës në familje. Rastet e tilla trajtohen nga zyrtarë policorë që kanë kryer trajnime shtesë dhe në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat për Punë Sociale dhe organet e drejtësisë,” thuhet në përgjigjen me shkrim të Policisë së Kosovës.

Pavarësisht përpjekjeve institucionale, dhuna në familje mbetet një problem në shoqërinë kosovare.

Sipas sociologut Labinot Kunushevci, familja është e rrezikuar dhe cenuar nga dhuna gjinore.

“Problemet sot nuk janë vetëm të natyrës natyrore ose të krizave, trazirave e turbulencave me të cilat ballafaqohet një familje në procesin e ndryshimeve dhe transformimeve. Një familje, për të krijuar stabilitet, duhet ta përbrendësojë dhe adaptojë inteligjencën emocionale si instrument për tejkalimin e problemeve,” tha Kunushevci.

Tutje, sipas tij, pavarësia ekonomike e grave është një faktor i rëndësishëm që redukton dhunën si predispozitë dhe tendencë.

Nga ana tjetër, sociologia Bukurie Rrustemi nënvizon se dhuna ndaj grave shpeshherë ndërlidhet me mentalitetin patriarkal dhe pabarazinë gjinore.

"Shoqëria shpesh e paraqet dhunuesin si hero dhe dhunën si të nevojshme për disiplinim. Gratë shpesh paragjykohen dhe përballen me mungesë mbështetjeje, duke i detyruar ato të heshtin dhe të jetojnë në dhunë,” thotë ajo.

Tutje, Rrustemi thekson se fëmijët që rriten në familje të dhunshme me shumë gjasa do të jenë dhunues të së nesërmes.

“Fëmijët që jetojnë në familje të tilla nuk kanë suksese në mësime, bëhen më asocialë, kanë pagjumësi, anoreksi dhe zhvillim të ulët,” tha ajo.

Sipas sociologes Rrustemi, edukimi është njëra nga format më të mira që duhet të përdoret për ndërgjegjësimin e shoqërisë kundër dhunës.

Por, çfarë pasojash mund të ketë dhuna në aspektin gjinor?

Sipas psikologut Yll Avdija, dhuna në aspektin gjinor, përkatësisht te gratë, mund të ketë pasoja të thella psikologjike, të cilat mund të jenë edhe afatgjata.

“Dhuna me bazë gjinore mund të ketë ndikim të thellë në aspektin e vetëbesimit dhe ndërtimit të marrëdhënieve të shëndetshme, dhe këtë për disa arsye, si: rënia e vetëvlerësimit, ndjenja e pafuqisë dhe fajësimi i vetes, perceptimet e gabuara për veten etj. Po ashtu, mund të përmendim frikën nga gjykimet dhe paragjykimet, humbjen e kontrollit mbi veten dhe jetën etj.,” tregoi Avdija.

Trajtimi i viktimave dhe dhunuesve mbetet një element i domosdoshëm në luftën kundër dhunës në familje.

Avdija tregon se cilat janë fazat kryesore për trajtimin psikologjik të grave që përjetojnë dhunë fizike.

“Fillimisht, duhet të krijohen kushte stabiliteti dhe sigurie, qofshin ato fizike, emocionale apo psikologjike, të cilat mundësojnë përballimin e situatës. Pastaj, trajtimi dhe përpunimi i traumës, rindërtimi i vetëbesimit, rindërtimi i marrëdhënieve të shëndetshme, risocializimi etj. I gjithë ky trajtim gradual realizohet duke iu nënshtruar një procesi psikoterapeutik afatgjatë.”

Edhe stigma në shoqëri luan një rol të madh në pengimin e grave për të kërkuar ndihmë psikologjike pas përjetimit të dhunës.

“Mund të përmenden disa faktorë nga ky aspekt, si: fajësimi i viktimës, turpërimi shoqëror, tabutë kulturore, stigma brenda familjes, mosbesimi në organet e sigurisë dhe joserioziteti i tyre, normalizimi i dhunës, varësia ekonomike, mosraportimi i dhunës, mungesa e njohurive dhe informacioneve në lidhje me shërbimet etj.,” tha psikologu Avdija.

Sipas tij, për të përmirësuar mbështetjen emocionale për gratë viktima të dhunës gjinore, nevojitet një qasje e integruar që përfshin institucionet, shoqërinë dhe familjen.

“Duke filluar nga trajnimi i profesionistëve (psikologëve dhe psikoterapeutëve), ofrimi i shërbimeve falas, shërbimet nëpër zonat rurale, krijimi i qendrave për gratë që ofrojnë shërbime psikologjike, sociale dhe juridike, trajnime edukative mbi dhunën për gratë, burrat dhe të rinjtë, si dhe ofrimi i kushteve dhe ndihmave financiare për rastet me pamundësi ekonomike.”

--

Ky projekt është pjesë e iniciativës së UN Women, “Adresimi i ndikimeve të dhunës me bazë gjinore në Kosovë dhe fuqizimi i të mbijetuarve/eve për të luftuar stigmën dhe për të folur hapur”, mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë.

Share this Post: