Është mbajtur tryezë festive për 10 vjetorin e pavarësisë
Foto: AGK
PRISHTINË, 16.02.2018 – Me rastin e shënimit të 10 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në bashkëpunim me Këshillin Organizativ “Kosova 10”, ka mbajtur tryezë diskutimi me temë "Raportimi gjatë 10 viteve të fundit - Ku ishim dhe ku kemi arritur?".
Fidan Rama, anëtar bordi në AGK dhe moderator i tryezës, në hapje të saj prezantoi mysafirët dhe ftoi të pranishmit që të ndajnë përshtypjet e tyre lidhur me raportimin e atyre ditëve në vitin 2008 si dhe të japin përshtypjet e tyre mbi zhvillimet në fushën e mediave gjatë këtyre viteve.
Të pranishëm në këtë tryezë ishin figura të shumta të fushës së gazetarisë, shoqërisë civile dhe më gjerë; të cilët në ditët e shpalljes së pavarësisë ishin aktivisht të kyçur në raportim dhe ndjekje të zhvillimeve.
Ndër ta, korrespondenti i grupit Koha në Bruksel dhe gazetari shumë vjeçar, Augustin Palokaj, rrëfeu emocionet e shpalljes së Pavarësisë si dhe rrugëtimin e Kosovës drejtë Bashkimit Evropian përgjatë këtyre 10 viteve.
“Isha i përmbajtur deri në momentin kur dëgjova vetura me buri, defilim me flamuj shqiptarë nëpër qytetin e Brukselit, në atë moment më kapën emocionet”, rrëfeu Palokaj.
Ndër tjerash Palokaj duke folur për progresin dhe sfidat e të bërit gazetari në Kosovë, vlerësoi lartë rolin e gazetarisë në shoqërinë kosovare, me theks të veçantë të gazetarisë së shkruar, ku sipas tij, përkundër zhvillimit të hovshëm të teknologjisë, gazetarin nuk mund ta zëvendësoj asnjë mjet teknologjik.
“Sa më shumë që lëshoni pe ndaj politikanëve, më shumë shumë do t’ju hipin mbi kokë; dhe sa më shumë rezistoni aq më bashkëpunues do të jenë ata”, shtoi Palokaj si këshillë ndaj kolegëve në Kosovë.
Gjatë kësaj tryeze u shfaq edhe premiera e dokumentarit “Lajmëtarët e Lirisë” me autor Zekirja Shabani, dokumentar ky që solli rrëfime dhe emocione të gazetarëve, kameramanëve dhe akterëve të tjerë të cilët kishin raportuar dhe përcjellur nga afër momentin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Autori i këtij dokumentari ka thënë se përmes dokumentari është munduar që të sjellë atë çfarë e kanë përjetuar gazetarët në vitin 2008.
“Me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë kam dashtë ta kujtoj punën e kolegëve tanë gazetarë…Sa herë po e shoh po emocionohem!”, u shpreh Shabani.
Përveç tjerash, përgjatë kësaj tryeze u diskutua edhe për të arriturat, problemet dhe sfidat më të cilat është ballafaquar dhe po ballafaqohet aktualisht gazetaria kosovare.











