Gazetarët e komuniteteve në Kosovë diskutojnë për rritjen e bashkëpunimit në mes tyre
Foto: BIRN Kosovo
PRISHTINË 19.06.2018 - Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) mbështetur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kanë përfunduar fazën e dytë të projektit i cili kishte për qëllim rritjen e bashkëpunimit ndërmjet gazetarëve të të gjitha komuniteteve në Kosovë, veçanërisht të gazetarëve shqiptarë dhe atyre serb.
Në këtë tryezë përmbyllëse u theksua ndikimi të cilin e ka pasur ky projekt në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet gazetarëve nga të gjitha komunitetet në Kosovës si dhe sfidat më të cilat ata ballafaqohen gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.
Përfaqësuesi nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Riccardo Serri, ka deklaruar se është i lumtur me ecurinë e këtij projekti dhe se shpreson që një projekt i tillë të vazhdoj edhe në ta ardhmen.
"Është kënaqësi e madhe të jemi këtu, ajo çka është më e rëndësishmja është të dëgjojmë debatin ndërmjet gazetarëve që i përkasin medieve të ndryshme, flasin gjuhë të ndryshme dhe i përkasin komuniteteve të ndryshme. Është kënaqësi për ne të ju shohim kështu dhe shpresoj që ky projekt do të vazhdoj. Ju gazetarët jeni shtylla e këtyre komuniteteve, ju jeni shtylla e një shoqërie demokratike. Ju i përkisni një shoqërie shumë etnike dhe gazetaria duhet të ketë përpjekje stabilizuese duke raportuar drejt dhe pa anshëm. Ju keni bërë tema të përbashkëta dhe kjo është një përvojë konstruktive”, ka deklaruar ndër tjera Serri.
Ndërkaq, Petrit Çollaku, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, ka folur rreth bashkëpunimin korrekt të cilin e ka kjo organizatë qoftë me Asociacionet e Gazetarëve nga vendet rajonit, por edhe me Asociacionin e Gazetarëve Serb në Kosovë dhe gazetarët e të gjitha komuniteteve në vend. Çollaku ka folur edhe për thëllimin e bashkëpunimit që Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është duke e ndërtuar më institucionet e drejtësisë dhe sigurisë në vend për mbrojtjen dhe liritë e të drejtave të të gjithë gazetarëve në Kosovë.
Në anën tjetër, gazetarja nga Mitrovica e Veriut, Sanja Sovrelic, është fokusuar në problemet të cilat i shqetësojnë qytetarët e të gjitha komuniteteve që sipas saj, këto probleme janë probleme edhe të gazetarëve të cilët punojnë në Kosovë.
”Situata në gazetari është e njëjtë me atë të shoqërisë. Nëse dikush dëshiron të flas për problemet e gazetarëve flet për problemet e shoqërisë tonë. Shoqëritë tona janë ashtu siç është gazetaria e cila shpesh merr anë dhe po të kishim medie më të mira nuk do ta kishim këtë situatë sepse për fat të keq disa medie ndjekin agjenda zyrtare dhe me vjen keq që disa medie nuk janë në dijeni për rolin e tyre. Duhet ta kuptojmë se puna jonë nuk është ashtu dhe ne duhet ta kuptojmë rëndësinë e punës sonë. Pajtimi ndërmjet nesh duhet të jetë pjesë e agjendës tonë dhe kjo duhet të jetë pjesë e përditshme e gazetarëve”, ka deklaruar gazetarja Sovrelic.
Ndërsa, redaktorja përgjegjëse e RTK-së, Rabisha Muhaxhiri, ka thënë se mediumi ku ajo punon është i obliguar ta respektoj diversitetin etnik në vend, për çka ka thënë se në kanalin e parë të RTK-së, janë shtatë (7) redaksi në të cilat bëjnë pjesë të gjitha komunitetet dhe 15 për qind e hapësirës ditore ju takon atyre. Muhaxhiri, ka thënë po ashtu se RTK2 është kanal i cili i dedikohet komuniteteve në Kosovë, veçanërisht komunitetit serb. Ajo ka vënë në pah rëndësinë dhe nevojën e mësimit të gjuhëve të njërit tjerit, sepse, sipas saj kjo ndikon në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet gazetarëve.
Edhe panelisti i tjetër, kryeredaktori i gazetës “Zëri”, Lavdim Hamidi, ka thënë se gjuha mbetët një nga barrierat kryesore të bashkëpunimit ndërmjet gazetarëve shqiptarë dhe atyre serb në Kosovë.
Në fund, udhëheqësi i këtij projekti nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) Përparim Isufi, është shprehur se falë këtij projekti janë gjetur metoda se si ta zhvillohet një bashkëpunim ndërmjet gazetarëve të të gjitha komuniteteve në Kosovës, me ç’rast, sipas tij janë shkruar tetë artikuj të fushave të ndryshme.











