Kryetarja e AGK-së Gentiana Begolli Pustina kërkon mbrojtje ligjore falas për gazetarët
PRISHTINË, 21.12.2018 - Në kuadër të Ditës së Avokatisë, në të cilën u mbajt dje edhe konferenca me titull “Liria e Shprehjes dhe tejkalimi i saj”, kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës Gentiana Begolli Pustina vlerësoi se klima në të cilën punojnë gazetarët kosovarë vazhdon të jetë e rënduar dhe se për tejkalimin e lirisë së shprehjes është luks të debatohet, përderisa gazetarët në Kosovë vazhdojnë të përballen me mungesë serioze të lirisë së shprehjes, qoftë nga faktori politik ashtu edhe nga grupet e ndryshme të interesit.
Sipas Begolli Pustinës, ngecjet në sistemin e drejtësisë nuk bëjnë përjashtim as në rastin e gazetarëve, dhe se shumica e sulmeve ndaj tyre, vazhdojnë të mbesin të pandriçuara. Si rrjedhojë, sipas saj, nuk mund të trumbëtohet për legjislacion të mirë, përderisa zbatueshmëria e këtij legjislacioni lë shumë për të dëshiruar.
Para pjesmarrësve, ndër të cilët ishin edhe përfaqësues të Avokatëve nga vendet e rajonit, gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë të shquar nga vendi e rajoni, kryetarja e AGK-së Gentiana Begolli Pustina kërkoi ndihmë juridike falas për gazetarët, marrë parasysh gjendjen e rëndë në të cilën punon ky komunitet dhe kërcnimet e shumta me të cilat përballen ata.
"Shumë kolegë tonë privohen nga e drejta për të kërkuar drejtësi kur ballafaqohen me shkelje apo kërcnime të ndryshme marrë parasysh koston e lartë financiare të përfaqësimit ligjor. Ka shumë gazetarë që marrin pagë mujore vetëm 200 euro, ndërkaq përfaqësimi në vetëm një seancë gjyqësore ka kosto më të lartë se sa komplet paga e tyre mujore" theksoi Begolli Pustina.











