Lajmet

“Kur raportimi ushqen dhunën”, ”Kur vrasja e grave kthehet në klikime”


3676-title

Shkruan: Gentiana Ahmeti

“Një gru ish vra”, “A ja keni pa fotot”, “Edhe fotot e fëmijëve kanë dal”, “Një faqe tjetër e kish postu krejt familjen”, këto fjali janë shkëputur nga një bisedë e disa qyetarëve përderisa pinin kafen e tyre të mëngjesit në njërën nga lokalet e Prishtinës.

Nga viti 2010 deri në prill të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 58 gra thuhet në një artikull të Radio Evropa e Lirë.

Për gjitha rastet që kanë ndodhur mund të gjenden dy-tre lajme të paktën të cilat raportojnë për ngajrjen, por raportimi i tyre shpesh shoqërohet me qasje senzacionale dhe narrativë që në vend se të nxisë ndërgjegjësimin dhe parandalimin, rrezikon të normalizojë apo edhe të justifikojë dhunën.

Detajet personale të viktimave nuk janë as thelbësore dhe as në interes të opinionit publik, megjithatë, shpesh publikohen në media dhe rrjete sociale, duke cenuar dinjitetin e tyre dhe të familjeve të tyre.

Dhurata Proksi, sociologe thotë se mediat kanë rol krucial në ndërtimin e perceptimit për dhunën në baza gjinore si dukuri në shoqëri.

“Mënyra se si mediat i raportojnë rastet e viktimave apo të mbijetuarave të dhunës në bazë gjinore e që perfundojnë me fatalitet jo çdo herë është në shërbim të informimit të rastit, andaj duke dashur që të bëjnë diferencën nga mediumet e tjera që raportojnë në menyrë profesionale mediat që nuk përfillin etikën gazetareske ofrojnë informacione që dëmtojnë rëndë dinjitetin dhe integritetin e viktimës, në rastin e daljes së detajeve të tilla ofrohet mundësi që të bëhet një gjyq i popullit për rastin, do të thotë pa u trajtu i njëjti nga institucionet kompetente gjë qe mund të themi bëhet një ndërhyrje në rast me paragjykimin se si ka ardhur tek fataliteti vrasja e gruas e që kryesisht arsyet dhe arsyetimi kerkohet tek viktima”, thotë Prokshi.

Sipas raportit “Analiza e raportimit mediatik mbi keqpërdorimin e armëve të zjarrit në dhunën me bazë gjinore të ushqyer nga burrat ndaj grave në ballkanin perëndimor”, nga Qendra e Evropës Juglindore dhe Lindore për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta (SEESAC),nismë e përbashkët e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në vitin 2022, në Kosovë u publikuan 2,050 raportime online mbi keqpërdorimin e armëve të zjarrit, nga të cilat 102 (5%) lidhen me dhunën ndaj grave. Shumica (86%) i referoheshin vetëm rasteve specifike, ndërsa vetëm 6% trajtonin dhunën me bazë gjinore si fenomen. Rreth 43% e raportimeve u bazuan në njoftimet për media të Ministrisë së Punëve të Brendshme, shumë më tepër se mesatarja rajonale prej 12%.

“Shumica e rasteve të dhunës me bazë gjinore të ushtruar nga burrat ndaj grave, me keqpërdorim të armëve të zjarrit, që u raportuan nga mediat gjatë periudhës së vëzhguar, ndodhën në hapësira private – brenda shtëpive, banesave, oborreve dhe ambienteve familjare. 36% të artikujve është treguar rruga ku ka ndodhur rasti”, thuhet në raport.

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) dhe Komisioni i Pavarur për media (KPM), përmes strukturar ligjore e kanë të paraparë që gazetarët duhet të ruajn privatësinë e individëve.

“Gazetat, portalet dhe agjensitë e lajmeve do t’u shmangen ndërhyrjeve dhe kërkimeve në jetën private të një individi, përderisa ndërhyrje apo kërkime të tilla janë të nevojshme për arsye të interesit publik”, thuhet në Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës.

Kodi i Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale thotë se “E drejta e privatësisë së individëve duhet të respektohet. Ndërhyrja në ceshtjet thjeshtë private apo personale të cilat nuk kanë ndikim në interesin publik është e ndaluar. Ata që janë prekur nga tragedia apo pikëllimi duhet të trajtohen me ndjeshmëri, respekt dhe maturi duke e respektuar privatesine e plote te tyre.”

Raportimi për vrasjen e grave nuk duhet të shërbejë për senzacionalizëm, por si mjet për ndërgjegjësim dhe parandalim e dhunës.

--

Ky projekt është pjesë e iniciativës së UN Women, “Adresimi i ndikimeve të dhunës me bazë gjinore në Kosovë dhe fuqizimi i të mbijetuarve/eve për të luftuar stigmën dhe për të folur hapur”, mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë.

Share this Post: