Parandalimi kushton më pak se trajtimi: Shfrytëzimi i “Best-Buy” të OBSH-së për sëmundjet kronike jo ngjitëse
Sëmundjet kronike jo ngjitëse, si sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, kanceri dhe sëmundja kronike obstruktive e mushkërive, janë ndër shkaktarët kryesorë të vdekjeve në botë. Përballë kostove gjithnjë e më të larta të trajtimit dhe barrës që këto sëmundje i shkaktojnë individit dhe sistemit shëndetësor, përgjigjja është e qartë: duhet të investojmë më shumë në parandalim. Parandalimi kushton më pak, shpëton më shumë jetë dhe ofron përfitime afatgjata për të gjithë shoqërinë. Për këtë arsye, “Best Buys” të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) duhet të jenë në qendër të politikave shëndetësore. Këto ndërhyrje me kosto të ulët dhe efektivitet të lartë, që mund të parandalojnë mijëra raste sëmundjesh dhe vdekje të parakohshme, nuk kërkojnë teknologji të shtrenjta apo investime të paarritshme; ato kërkojnë vullnet institucional dhe ndërgjegjësim shoqëror. Sipas mendimit tim, shfrytëzimi më i gjerë i këtyre masave, si në nivelin individual ashtu edhe në atë populativ, duhet të jetë prioritet për çdo shoqëri që synon të përmirësojë shëndetin publik.
Një nga rekomandimet kryesore të OBSH-së është reduktimi i konsumit të duhanit përmes taksave më të larta, kufizimit të reklamave dhe krijimit të mjediseve pa tym. Duhani mbetet një faktor kryesor rreziku për shumë sëmundje kronike. Investimi në politika që ulin përdorimin e tij kushton shumë më pak se trajtimi afatgjatë i pacientëve me kancer të mushkërive, sëmundje të zemrës apo probleme të tjera të lidhura me pirjen e duhanit.
Promovimi i ushqyerjes së shëndetshme është po aq i rëndësishëm. OBSH rekomandon masa si reduktimi i kripës në ushqime, kufizimi i yndyrave të dëmshme dhe ndërgjegjësimi i individëve për zgjedhje më të shëndetshme. Dieta jo e shëndetshme është një nga shkaqet kryesore të mbipeshës, obezitetit, hipertensionit dhe diabetit. Është shumë e rëndësishme të krijojmë kushte që i ndihmojnë qytetarët të ushqehen më mirë dhe të shmangin sëmundjet ose të shtyjnë shfaqjen e komplikimeve.
Një tjetër “Best Buy” është promovimi i aktivitetit fizik. Jeta sedentare është bërë pjesë e përditshmërisë së shumë njerëzve, veçanërisht të rinjve. Krijimi i hapësirave për ecje, biçiklizëm dhe aktivitete sportive nuk kërkon investime të pamundura, por sjell përfitime të mëdha për shëndetin publik. Një popullatë më aktive fizikisht ka më pak gjasa të zhvillojë sëmundje kronike dhe ka më shumë mundësi për të gëzuar një jetë të gjatë e produktive.
Disa mund të argumentojnë se zbatimi i këtyre masave kërkon fonde dhe angazhim institucional që jo çdo vend mund ta përballojë. Për shembull, puna në taksa kërkon angazhim ndërinstitucional dhe ndërshtetëror që të japë efektet e dëshiruara. Megjithatë, kostot fillestare të parandalimit janë shumë më të ulëta se shpenzimet afatgjata për trajtim, rehabilitim dhe humbjen e produktivitetit të qytetarëve të sëmurë. Në këtë kuptim, parandalimi rezulton si investim e jo si shpenzim dhe vlera e tij është shumë më e madhe se çdo kursim financiar.
Sëmundjet kronike jo ngjitëse nuk mund të eliminohen plotësisht, por ndikimi i tyre mund të reduktohet ndjeshëm. Masat “Best Buy” të OBSH-së ofrojnë një rrugë të qartë, të përballueshme dhe të dëshmuar për të parandaluar sëmundjet përpara se ato të kërkojnë trajtim të kushtueshëm. Parandalimi dhe kontrolli i SJN kërkon punë ekipore dhe të vazhdueshme, kërkon që, përpos motos së OBSH-së “Shëndet për të gjithë”, të synojmë edhe “Shëndet në të gjitha politikat”. Nëse synojmë një shoqëri më të shëndetshme dhe një sistem shëndetësor më të qëndrueshëm, duhet të veprojmë tani.
Ky opinion është publikuar në kuadër të projektit “Avancimi i raportimit mbi sëmundjet kronike jo-ngjitëse”, i zbatuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) në partneritet me Projektin Shërbime Shëndetësore të Integruara (IHS), me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
Për më shumë mbi këtë temë, lexoni edhe hulumtimin e gazetares Albulena Bytyqi, “Sëmundjet kronike në rritje, parandalimi mbetet sfidë në Kosovë”, i cili sjell të dhëna, qëndrime të institucioneve dhe përvoja të qytetarëve mbi zbatimin në Kosovë të ndërhyrjeve “Best Buys” të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), në këtë vegëz: https://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=731499











