Policia konfirmon se nuk bëhet fjalë për kidnapimin e ndonjë gazetareje
PRISHTINË, 19.06.2018 - Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës njofton të gjithë opinionin se, sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, personi i cili dyshohet të jetë kidnapuar më datë 18.06.2018 në Prishtinë, nuk ka të bëjë fare me gazetare të Radio Televizionit Shqiptar (TVSH), siç u raportua në medie.
Në bazë të njoftimit të Policisë së Kosovës, thuhet se viktima nuk është gazetare e asnjë mediumi.
“Prishtinë, 19 qershor 2018 – Me datën 18.06.2018 rreth orës 01:00, kemi pranuar informatën se në rrugën “Nora e Hotit” në Prishtinë, nga persona të dyshuar, një femër është futur me forcë në një veturë të tipit Golf 4, dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Njësitet policore pas grumbullimit të shpejtë të informacioneve të marra në rrugë operative si dhe pas zgjerimit të hetimit, kanë arritur që të identifikojnë viktimën si dhe shoqëroj në stacion policor dy persona të dyshuar:
- D, mashkull, 37 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës si dhe
- A , mashkull, 24 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës.
Ndaj personave të dyshuar është iniciuar rasti shtrëngim dhe të njëjtit me urdhër të prokurorit të shtetit lirohen në procedurë të rregullt, ndërkohë që hetuesit policor janë në përfundim të veprimeve të nevojshme hetimore dhe procedurale, për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të ngjarjes.
Referuar disa informacioneve të cilat kanë qarkulluar nëpër platforma të ndryshme të informimit, se e rrëmbyera është gazetare e një mediumi shqiptar , për hir të korrektësisë, konfirmojmë se një lajm i tillë nuk është i vërtetë si dhe një fakt i tillë nuk qëndron. Viktima nuk është gazetare e asnjë mediumi apo platforme informimi”, bëhet e ditur në raportin e Policisë së Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës gjatë ditës së sotme ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës në lidhje më këtë rast.











