SafeJournalists: Autoritetet kroate duhet të veprojnë urgjentisht për t’i mbrojtur gazetarët nga kërcënimet me vdekje dhe frikësimi
Ilustrimi: Canva
Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër fushatën në përshkallëzim të kërcënimeve, frikësimit dhe nxitjes së dhunës ndaj gazetarëve në Kroaci, pas raportimit të tyre për incidentet që përfshijnë grupin e tifozëve të futbollit Torcida. Rrjeti u bën thirrje autoriteteve kroate që të sigurojnë mbrojtjen e menjëhershme të të gjithë gazetarëve të shënjestruar nga këto kërcënime dhe të identifikojnë e të ndjekin penalisht përgjegjësit.
Kërcënimet nisën pasi gazetarët raportuan për incidentet që ndodhën rreth ndeshjes së futbollit Hajduk Split – Ajax. Para ndeshjes, tifozët e grupit Torcida parakaluan nëpër Split duke brohoritur slogane naziste dhe antisemitike, përfshirë referenca ndaj Hitlerit dhe Aushvicit. Kjo nxiti reagime armiqësore ndaj mediave, ku gazetarët u akuzuan se po krijonin histeri dhe po zhvillonin një fushatë kundër Torcidës. Ndërkohë, në veshje, pankarta dhe mure publike u shfaqën mesazhe ku gazetarët quheshin “krimba”, të shoqëruara me fyerje dhe kërcënime.
Më 18 tetor, faqja në Facebook Narodni Reporteri publikoi fotografi të 11 gazetarëve dhe një analisti politik, me titullin “12 Kalorësit e Apokalipsit Kroat”. Në postim, ata akuzoheshin se po merrnin pjesë në një fushatë kundër tifozëve kroatë të futbollit, ndërsa pretendohej, pa paraqitur prova, se puna e tyre lidhej me Agjencinë e Sigurisë dhe Inteligjencës së Serbisë (BIA) dhe financohej prej saj.
Publikimi nxiti një valë komentesh fyese dhe kërcënuese. Disa komente kërkonin dëbimin e gazetarëve nga Kroacia ose ndalimin e ushtrimit të profesionit të tyre, ndërsa të tjera sugjeronin gjetjen e adresave të tyre të banimit, shprehnin dëshirën për vdekjen e tyre ose flisnin hapur për krijimin e një liste personash që duhej të vriteshin.
Fushata e frikësimit u përshkallëzua më tej më 19 tetor, kur në grupin e Facebook-ut “Torcida Split 1950” u publikuan fotografi të mesazheve kërcënuese dhe pankartave.
Një mesazh i shkruar në një mur betoni në bregdetin e Dalmacisë thoshte: “Torcida kujton dhe nuk fal! Gazetarët janë krimba.”
Edhe më shqetësuese ishte një pankartë ku komuniteti i gazetarëve përshkruhej si “e keqja më e madhe në shoqërinë kroate”. Në të paraqitej një ilustrim i një peme, në degët e së cilës vareshin gazetarë që përfaqësonin mediat Slobodna Dalmacija, Index.hr, Jutarnji list, Večernji list dhe 24sata. Një tjetër postim me fotografi të gazetarëve sugjeronte se Kroacia nuk kishte gjetur litar të mjaftueshëm për kaq shumë “Juda”.
Rrjeti SafeJournalists është veçanërisht i shqetësuar për retorikën politike që i shoqëron këto incidente.
Më 20 tetor, Ivan Penava, lider i Lëvizjes së Atdheut (Domovinski pokret), parti pjesë e koalicionit qeverisës në Kroaci, mbajti një konferencë për media në Split. Ai dënoi sloganet naziste dhe fashiste, por njëkohësisht akuzoi policinë dhe mediat se po zhvillonin një fushatë kundër tifozëve të Torcidës. Penava vuri në pikëpyetje publikimin e fotografive të personave të dyshuar që kërkoheshin nga policia dhe kritikoi Asociacionin e Gazetarëve të Kroacisë (CJA) për shprehjen e shqetësimit lidhur me shënjestrimin e gazetarëve.
Asociacioni i Gazetarëve të Kroacisë i ka raportuar incidentet në polici dhe ka kërkuar publikisht veprime urgjente nga organet e zbatimit të ligjit dhe prokuroria. CJA ka paralajmëruar se këto sulme janë pjesë e një klime më të gjerë armiqësie ndaj gazetarëve, së cilës i kanë kontribuar edhe deklaratat publike të zyrtarëve të lartë politikë.
Më 19 tetor, ministri i Punëve të Brendshme i Kroacisë, Davor Božinović, konfirmoi se policia kishte nisur një hetim penal lidhur me mesazhet kërcënuese dhe frikësuese ndaj gazetarëve. Ai deklaroi se askush nuk ka të drejtë t’i frikësojë të tjerët, veçanërisht personat që thjesht po kryejnë detyrat e tyre profesionale.
Rrjeti SafeJournalists e mirëpret njoftimin për nisjen e hetimeve policore, por thekson se autoritetet duhet të sigurojnë rezultate konkrete dhe mbrojtje efektive për gazetarët e shënjestruar.
Hetimet duhet të përfshijnë jo vetëm kërcënimet e drejtpërdrejta, por edhe publikimin e imazheve të dhunshme dhe të mesazheve që nxisin sulme ndaj profesionistëve të identifikueshëm të medias.
Rrjeti u bën thirrje autoriteteve kroate që t’i hetojnë pa vonesë të gjitha incidentet e raportuara, t’i identifikojnë përgjegjësit dhe të ndërmarrin veprimet e duhura ligjore. Gjithashtu, u bën thirrje liderëve politikë dhe zyrtarëve publikë që t’i dënojnë pa ekuivoke kërcënimet ndaj gazetarëve dhe të përmbahen nga deklaratat që rrezikojnë sigurinë e tyre ose legjitimojnë armiqësinë ndaj mediave.
Rrjeti SafeJournalists shpreh solidaritet të plotë me të gjithë gazetarët e shënjestruar nga këto kërcënime dhe do ta përcjellë nga afër reagimin e autoriteteve kroate.
Siguria e gazetarëve nuk është çështje e vullnetit politik, por një detyrim themelor i shtetit.
Rrjeti SafeJournalists do t’i informojë institucionet dhe palët përkatëse kombëtare e ndërkombëtare për këto incidente dhe do të vazhdojë të angazhohet për mbrojtjen e gazetarëve dhe lirisë së medias në Kroaci.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 20 tetor 2026
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjë-Hercegovinës
Asociacioni i Gazetarëve të Kroacisë
Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi











