SafeJournalists dënon ashpër sulmin e pestë të koordinuar me 'bots' ndaj “Sloboden Pechat” në Maqedoninë e Veriut
Ilustrimi: Canva
Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër sulmin e fundit të koordinuar me botë ndaj profileve të mediumit “Sloboden Pechat” në Instagram, në Maqedoninë e Veriut, më 13 tetor 2026.
Ky është sulmi i pestë i këtij lloji ndaj mediumit brenda më pak se një viti, i kryer sipas të njëjtit model të veprimeve të koordinuara përmes një numri të madh profilesh të rreme.
Këto sulme nuk janë aktivitete të zakonshme në internet. Ato përbëjnë një formë të presionit digjital që synon të pengojë punën e një mediumi të pavarur dhe të kufizojë dukshmërinë e tij.
Përmes manipulimit të algoritmeve të platformave, rrjetet e koordinuara të botëve mund të zvogëlojnë shtrirjen e përmbajtjes gazetareske, të kufizojnë qasjen te publiku dhe potencialisht të çojnë në kufizimin ose pezullimin e llogarive. Kjo mund të ketë pasoja më të gjera për lirinë e medias, pasi sulmet e përsëritura dhe të koordinuara të këtij lloji mund t'i frikësojnë gazetarët, të dëmtojnë besimin e publikut në mediat e pavarura dhe të kufizojnë qarkullimin e lirë të informacionit.
Rrjeti SafeJournalists u bën thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorisë Themelore Publike në Maqedoninë e Veriut që t'i hetojnë të gjitha sulmet ndaj “Sloboden Pechat”, duke i trajtuar ato si pjesë të një modeli të mundshëm të veprimeve të koordinuara, si dhe të identifikojnë përgjegjësit.
Njëkohësisht, i bëjmë thirrje kompanisë Meta që të reagojë në mënyrë më efektive ndaj sulmeve të tilla, të identifikojë dhe të çaktivizojë rrjetet e koordinuara të llogarive të rreme dhe t'u ofrojë mbështetje me kohë mediave që bëhen cak i sulmeve të koordinuara digjitale.
Sulme të ngjashme janë raportuar edhe në Serbi dhe Shqipëri. Kjo tregon përmasat shqetësuese rajonale të kësaj dukurie, e cila kërkon më shumë vëmendje dhe ngre shqetësime serioze.
Sulmet digjitale nuk duhet të shndërrohen në një formë të re të censurës. Gazetarët dhe mediat duhet të kenë mundësi të punojnë dhe të komunikojnë me publikun pa frikësim dhe ndërhyrje të koordinuara.
Rrjeti SafeJournalists shpreh solidaritet me gazetarët e prekur dhe do ta përcjellë nga afër reagimin e institucioneve ndaj këtyre sulmeve.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 15 tetor 2026
-
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë
-
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
-
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
-
Asociacioni i Gazetarëve të BH-së
-
Asociacioni i Gazetarëve të Kroacisë
-
Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë
-
Sindikata e Mediave të Malit të Zi











