SafeJournalists: Dhuna policore ndaj gazetarëve në Tiranë ngre shqetësime për përdorimin e përsëritur dhe joproporcional të forcës
Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër dhunën e raportuar policore ndaj gazetarëve dhe ekipeve të mediave që po mbulonin protestat në Tiranë më 13 tetor 2026. Sulmet fizike, lëndimet dhe pengimi i raportimit, krahas përdorimit të gazit lotsjellës dhe topave të ujit, ngrenë shqetësime serioze për përdorimin e tepruar dhe joproporcional të forcës nga Policia e Shtetit.
Sipas Shoqatës së Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) dhe mediave përkatëse, Izmir Akulli, kryeredaktor i Dosja.al, dyshohet se është rrahur nga disa efektivë policie teksa po filmonte përdorimin e forcës ndaj një studenti pranë Bankës së Shqipërisë. Edhe pse u identifikua si gazetar, ai dyshohet se u godit sërish me grushte dhe shqelma, si pasojë e të cilave pati nevojë për trajtim spitalor.
Më herët, gazetarja e Fax News, Fatime Halmusa, raportohet se u lëndua nga efektivë policie, ndërsa gazetari i A2 CNN, Anesti Bajramemaj, dhe kameramani Henri Simota u shtynë me forcë dhe u penguan gjatë raportimit. Gazetari i TopNews, Xhoi Malesia, raportoi se efektivët e policisë e kërcënuan se do ta arrestonin. Ndërkohë, Vjolanda Peca, gazetare e Citizens.al, u godit në kokë nga një gur teksa mbulonte protestën. Këto raste dëshmojnë më tej rreziqet serioze me të cilat përballen punonjësit e mediave gjatë raportimit nga terreni.
Këto incidente nuk janë të izoluara. Gjatë katër muajve të fundit, Rrjeti SafeJournalists ka dokumentuar vazhdimisht ndërhyrjet e policisë ndaj gazetarëve që mbulojnë protestat në Shqipëri. Këto përfshijnë pengimin fizik të gazetarëve më 2 dhe 27 korrik, ndalimin dhe pengimin e përsëritur të gazetares së Citizens.al, Vjolanda Peca, në korrik dhe shtator, si dhe ekspozimin e ekipeve të identifikueshme të mediave ndaj mjeteve të përdorura për shpërndarjen e turmave, së fundmi më 8 tetor.
Përsëritja dhe serioziteti i këtyre incidenteve tregojnë një model thellësisht shqetësues të përdorimit të dyshuar të tepruar të forcës policore, ndërhyrjes në raportimin e pavarur dhe mungesës së llogaridhënies. Veçanërisht alarmuese janë raportimet për dhunë ndaj gazetarëve teksa dokumentonin veprimet e policisë. Kjo ngre pikëpyetje serioze për zbatimin e Protokollit të Policisë së Shtetit për Sigurinë e Gazetarëve, të miratuar në maj të vitit 2025, si dhe për efektivitetin e masave të ndërmarra pas incidenteve të mëparshme.
Rrjeti SafeJournalists u bën thirrje:
-
Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit që të japin llogari publikisht për incidentet, të shpjegojnë masat e ndërmarra pas paralajmërimeve të mëparshme dhe të sigurojnë zbatimin e menjëhershëm dhe efektiv të protokollit për sigurinë e gazetarëve. Kjo duhet të përfshijë udhëzime të qarta për përdorimin e forcës dhe mbrojtjen e ekipeve të mediave që janë të identifikueshme si të tilla.
-
Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) që të hetojë pa vonesë dhe në mënyrë të pavarur sulmet dhe pengimin e raportuar të gazetarëve, të identifikojë efektivët e përfshirë dhe të sigurojë që çdo shkelje e konstatuar të pasohet nga masat përkatëse të llogaridhënies.
-
Prokurorive kompetente që të hetojnë nëse veprimet e policisë ndaj gazetarëve mund të përbëjnë vepra penale dhe të ndërmarrin veprimet e duhura kur ekzistojnë arsye për të dyshuar se është shkelur ligji.
-
Kuvendit të Shqipërisë, veçanërisht komisioneve përgjegjëse për të drejtat e njeriut, median dhe çështjet e brendshme, që të ushtrojë funksionin e mbikëqyrjes përmes një seance dëgjimore parlamentare për incidentet e përsëritura, sjelljen e policisë gjatë protestave dhe zbatimin e mekanizmave ekzistues për mbrojtjen e gazetarëve.
-
Ministrisë së Drejtësisë që, brenda kompetencave të saj, të vlerësojë nëse mekanizmat ligjorë dhe institucionalë ekzistues ofrojnë mbrojtje dhe mjete juridike efektive për gazetarët që përballen me dhunë ose pengim nga autoritetet e zbatimit të ligjit.
Përgjegjësia për ruajtjen e rendit publik nuk mund të justifikojë dhunën ndaj gazetarëve apo përdorimin joproporcional të forcës. Operacionet policore, përfshirë përdorimin e gazit lotsjellës dhe topave të ujit, duhet të jenë në përputhje me parimet e ligjshmërisë, domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit, duke marrë parasysh edhe praninë e gazetarëve që dokumentojnë ngjarjet në interes të publikut.
Gazetarët duhet të jenë në gjendje të dokumentojnë protestat dhe veprimet e policisë pa pasur frikë nga dhuna apo hakmarrja. Kur incidente të tilla përsëriten pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme, heshtja dhe mosveprimi institucional bëhen pjesë e problemit. Mbrojtja e gazetarëve është thelbësore për të drejtën e publikut për informim dhe për llogaridhënien demokratike.
Rrjeti SafeJournalists shpreh solidaritet me gazetarët e prekur dhe do ta monitorojë nga afër reagimin e autoriteteve.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 14 tetor 2026
Shoqata e Gazetarëve të Shqipërisë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të BH-së
Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi











