SafeJournalists: Të identifikohen dhe ndiqen urgjentisht penalisht personat që kërcënojnë Veran Maticin në Serbi
Foto: NUNS, Canva
Rrjeti SafeJournalists dënon fuqimisht kërcënimet e fundit me vdekje dhe kërcënimet për dhunë ndaj Veran Maticit dhe u bën thirrje Prokurorisë së Posaçme për Krimin e Teknologjisë së Lartë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme që, pa vonesë, të identifikojnë personat përgjegjës dhe të ndërmarrin të gjitha masat në kuadër të kompetencave të tyre.
Shoqata e Mediave të Pavarura Elektronike (ANEM) ka raportuar në prokurorinë kompetente një sërë kërcënimesh dhe mesazhesh shqetësuese të publikuara në rrjetet sociale. Në komentet nën një postim në Facebook të Vuksa Dragovicit, i cili përmban një deklaratë të Veran Maticit të nxjerrë jashtë kontekstit, një përdorues me emrin e profilit “Aleksandar Mosic” shkroi: “Vareni këtë horr dhe lëreni kufomën e tij që ta shqyejnë kafshët.”
Profile të tjera publikuan mesazhe si: “Ti do të jesh i pari që do ta sakrifikojmë”, “Së shpejti do të pushojë së jetuari”, “Ky copë e ndyrë ustashe duhet të trajtohet publikisht” dhe “Ku jeton? Në Serbi? Çfarë po presim?”. Nën të njëjtin postim në X u publikua edhe një tjetër mesazh: “... ai do të jetë i pari që do ta sakrifikojmë.”
Rrjeti SafeJournalists paralajmëron se këto mesazhe nuk mund të trajtohen si incidente të izoluara, por duhet të shihen në kontekstin e fushatës së zgjatur të shënjestrimit, diskreditimit dhe kërcënimeve ndaj të cilave është ekspozuar Matic. Veçanërisht shqetësues është fakti se, krahas kërcënimeve të drejtpërdrejta, po përhapen edhe pretendime të rreme dhe të rrezikshme, përmes të cilave ai paraqitet si armik i shtetit dhe i popullit dhe lidhet me vepra të rënda penale.
Gjatë periudhës së fundit, Matic ka qenë në shënjestër të fushatave të shumta në media dhe në rrjetet sociale, ndërsa kërcënimet ndaj tij janë bërë gjithnjë e më të shpeshta dhe më të drejtpërdrejta. Ka pasur gjithashtu incidente në të cilat siguria e tij është vënë drejtpërdrejt në rrezik, përfshirë sulmin para Kuvendit të Serbisë, kur atij iu mor telefoni celular. Matic së fundmi është bërë gjithashtu objekt i fushatave të shënjestrimit nga zyrtarë të lartë shtetërorë.
Duke pasur parasysh shpeshtësinë, përmbajtjen dhe intensitetin e mesazheve të fundit, Rrjeti SafeJournalists kërkon që Prokuroria e Posaçme për Krimin e Teknologjisë së Lartë dhe Ministria e Punëve të Brendshme të identifikojnë urgjentisht personat që qëndrojnë pas llogarive nga të cilat janë dërguar kërcënimet, të përcaktojnë përgjegjësinë e tyre dhe të ndërmarrin procedurat përkatëse.
Institucionet kompetente duhet ta trajtojnë me seriozitet çdo mesazh që përmban kërcënime me vdekje ose dhunë ndaj një gazetari apo punonjësi të medias, veçanërisht kur bëhet fjalë për një model të vazhdueshëm kërcënimesh dhe raste të dokumentuara më parë që kanë vënë në rrezik sigurinë e tyre. Mosreagimi i shpejtë dhe efektiv mund t’i inkurajojë më tej autorët dhe të kontribuojë në krijimin e një klime ku dhuna ndaj gazetarëve normalizohet.
Rrjeti SafeJournalists paralajmëron sërish se etiketimi publik i gazetarëve dhe profesionistëve të medias si armiq, tradhtarë apo kërcënim për shoqërinë nga zyrtarë publikë ose aktorë të tjerë me ndikim ka kontribuar në krijimin e një mjedisi ku kërcënimet dhe dhuna po shihen gjithnjë e më shumë si të pranueshme.
Rrjeti SafeJournalists shpreh solidaritetin e plotë me Veran Maticin dhe pret nga institucionet që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e tij.
Rrjeti do të vazhdojë ta monitorojë këtë rast dhe do t’i informojë organizatat përkatëse vendore dhe ndërkombëtare që punojnë për mbrojtjen e lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 8 gusht 2026
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës
Shoqata Kroate e Gazetarëve
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi











