Lajmet

Shqipëri: Platformat e rrjeteve sociale duhet të mbrojnë mediat dhe llogaritë me interes publik nga manipulimet e koordinuara


4171-title

Rrjeti SafeJournalists (SJN), partnerët e Media Freedom Rapid Response (MFRR) dhe organizatat partnere shprehin shqetësim për incidentet e fundit në Shqipëri. Mediat, gazetarët, nismat qytetare dhe llogari të tjera me interes publik janë përballur me kufizime dhe fshirje të pashpjegueshme, si dhe me përpjekje të dukshme për të manipuluar sistemet e zbatimit të rregullave të platformave të rrjeteve sociale.

Gjatë ditëve të fundit, një numër llogarish janë bërë të paarritshme ose janë kufizuar në platformat e Meta-s. Më pas, Meta pranoi se disa llogari ishin fshirë gabimisht, i riktheu ato dhe bëri të ditur se po zbatonte masa shtesë mbrojtëse. I mirëpresim këto masa korrigjuese dhe bashkëpunimin e Meta-s me mediat dhe organizatat e shoqërisë civile të prekura.

Megjithatë, incidentet e mëvonshme, përfshirë shtimin e papritur të mijëra ndjekësve që dyshohet se janë të rremë, si dhe shenja të tjera të aktivitetit të koordinuar ose abuziv ndaj llogarive me interes publik, tregojnë se dobësitë në këto sisteme ende nuk janë adresuar. Taktika të ngjashme janë përdorur më herët ndaj mediave të pavarura në Serbi, ku aktiviteti i koordinuar i botëve dhe raportimet keqdashëse kanë kontribuar në pezullimin e llogarive.

Në këtë fazë, nuk ka prova të verifikuara që tregojnë se kush qëndron pas aktiviteteve të fundit në Shqipëri. Po ashtu, nuk ka prova të mjaftueshme për të konkluduar se të gjitha llogaritë e prekura janë vënë në shënjestër përmes të njëjtit mekanizëm ose si pjesë e një operacioni të vetëm. Prandaj, çdo pretendim se pas këtyre veprimeve qëndrojnë aktorë politikë, shtetërorë apo të tjerë duhet të bazohet në prova të verifikuara në mënyrë të pavarur.

Megjithatë, shqetësimi më i gjerë për lirinë e medias është i qartë. Sistemet e raportimit, të drejtave të autorit dhe mekanizmat automatikë të sigurisë së platformave online nuk duhet të keqpërdoren si mjet kundër gazetarëve, mediave dhe zërave qytetarë që synojnë t’i mbrojnë. Kur aktivitetet keqdashëse ndaj një llogarie çojnë në kufizimin ose fshirjen e saj, masat e platformës mund ta përforcojnë sulmin fillestar. Kjo mund të ndikojë në lirinë e shprehjes, pluralizmin mediatik dhe qasjen e publikut në informacion.

Akti Evropian për Lirinë e Medias (EMFA) e thekson rëndësinë e masave mbrojtëse në këtë fushë. Për ofruesit e kualifikuar të shërbimeve mediatike në platformat online shumë të mëdha, ai kërkon që kufizimet të vendosen vetëm pasi të jepen arsyet paraprake, të ofrohet mundësia për të reaguar, ankesat të trajtohen me përparësi dhe të ketë dialog të mirëfilltë në rastet e kufizimeve të përsëritura. Edhe pse Shqipëria ende nuk është anëtare e BE-së, këto masa përbëjnë një pikë të rëndësishme reference për përgjegjësinë e platformave dhe standardet drejt të cilave po ecin vendet kandidate.

Ndikimi i keqpërdorimit të këtyre mekanizmave online është veçanërisht serioz në mjedise politikisht të ndjeshme ose represive, ku gazetarët, mediat e pavarura dhe aktorët qytetarë raportojnë për protesta, llogaridhënien e qeverisë dhe çështje të tjera me rëndësi të madhe për publikun. Për mediat më të vogla dhe nismat qytetare, platformat e rrjeteve sociale mund të jenë edhe mënyra kryesore për të arritur te publiku. Në raste të tilla, platformat online duhet të veprojnë me kujdes të shtuar.

Rikthimi i llogarive të fshira gabimisht është i nevojshëm, por vetëm rikthimi i tyre nuk mjafton. Platformat, sistemet e të cilave po ndikojnë gjithnjë e më shumë në arritjen e përmbajtjes gazetareske dhe shprehjes me interes publik te publiku, kanë përgjegjësi të sigurojnë që këto sisteme të jenë të sigurta, transparente, rezistente ndaj manipulimeve dhe të afta t’i mbrojnë ata që bëhen cak i sulmeve të koordinuara digjitale, si dhe qasjen në informacion të besueshëm.

Akti i BE-së për Shërbimet Digjitale (DSA) e pasqyron këtë parim duke u kërkuar platformave online shumë të mëdha të marrin masa për të zvogëluar rreziqet sistemike që prekin të drejtat themelore dhe debatin qytetar. Edhe pse Shqipëria është ende vend kandidat për anëtarësim në BE, këto standarde përbëjnë një pikë të rëndësishme reference për përgjegjësinë e platformave.

MFRR dhe SafeJournalists u bëjnë thirrje Meta-s dhe platformave të tjera të mëdha që të sigurojnë:

gazetarët, mediat dhe llogaritë me interes publik që janë cak i aktiviteteve keqdashëse nga palë të treta të mos ndëshkohen si pasojë e këtyre aktiviteteve;
përmbajtjet ose kufizimet e llogarive që mund të jenë vendosur gabimisht të shqyrtohen shpejt dhe në mënyrë të duhur nga moderatorët;
gazetarët dhe organizatat mediatike që përballen me pezullim të llogarive, sulme të koordinuara apo kufizime të tjera që mund të pengojnë raportimin me interes publik të kenë qasje në një kanal të qartë dhe të shpejtë për përshkallëzimin e rasteve, me shqyrtim me përparësi dhe vendime të arsyetuara, pa u mbështetur vetëm në procedurat standarde të raportimit dhe ankesave;
platformat të hetojnë raportimet e koordinuara, sulmet nga botët, keqpërdorimin e të drejtave të autorit dhe përpjekjet e tjera për të manipuluar sistemet e tyre të zbatimit të rregullave; dhe
të vendosin masa parandaluese dhe mekanizma të përshtatshëm mbrojtës për mediat dhe llogaritë me interes publik që janë më të rrezikuara.

Gjithashtu, e inkurajojmë Meta-n që, të paktën në formë të përmbledhur, të bëjë të ditur rezultatet e shqyrtimit të rasteve të fundit në Shqipëri dhe masat e ndërmarra për të parandaluar incidente të ngjashme.

Rrjeti SafeJournalists dhe partnerët e MFRR do të vazhdojnë të monitorojnë zhvillimet në Shqipëri dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor dhe të mbështesin gazetarët, punonjësit e medias dhe aktorët qytetarë që përballen me kërcënime, frikësim apo ndërhyrje.

Nënshkruesit

Partnerët e Media Freedom Rapid Response (MFRR)

European Federation of Journalists (EFJ)
Free Press Unlimited (FPU)
OBC Transeuropa (OBTC)
European Center for Press and Media Freedom (ECPMF)

Rrjeti SafeJournalists

Shoqata e Gazetarëve të Shqipërisë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Asociacioni i Gazetarëve të BH-së
Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi

Reporterët pa Kufij (RSF)

Reporting Diversity Network (RDN)

Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ)

Share this Post: