Shtyhet seanca gjyqësore ndaj sulmuesve të gazetarit
VUSHTRRI, 25.06.2018 - Shqyrtimi fillestar gjyqësor ndaj të akuzuarve Nexhat Dedia dhe Labinot Krasniqi, për rastin e rrahjes së gazetarit Gazmend Morina, i paraparë të mbahet sot, është shtyrë për datë 11 korrik 2018. Gjykata Themelore e Mitrovicës – dega në Vushtrri, këtë vendim e ka marrë pas mungesës së njërit nga të akuzuarit në këtë çështje penale.
I akuzuari, Labinot Krasniqi, nuk iu është përgjigjur kërkesës së gjykatës për të marrë pjesë në shqyrtimin fillestar e as nuk ka dorëzuar ndonjë arsye me shkrim në lidhje me mos prezencën e tij në këtë seance, për çka gjyqtari i rastit, Ferki Xhaferi, është detyruar të marrë vendim që kjo seance të shtyhet për 11 korrik 2018, pasi që i njëjti ka konstatuar se nuk ka kushte për mbajtjen e këtij shqyrtimi.
Për dallim nga i akuzuari Krasinqi, i akuzuari tjetër Nexhat Dedia, ishte i pranishëm në këtë seancë. Të pranishëm ishin edhe prokurorja e rastit, i dëmtuar Gazmend Morina si dhe dy dëshmitarët e rastit.
Me 20 korrik të vitit 2016, Prokuroria Themelore e Mitrovicës kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Nexaht Dedia dhe Labinot Krasiqni për sulm fizik të bërë ndaj gazetarit Gazmend Morina.
Kujtojmë se gazetari i portalit “Veriu.info”, Gazmend Morina, më 26 janar 2016 është rrahur fizikisht me shufra hekuri nga ish asambleisti i PDK-së në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës, Nexhat Dedia dhe Labinot Krasniqi.











