Lajmet

THIRRJE PËR APLIKIM - GARA PËR AGRO-GAZETARI 2026


4153-title

GARA PËR AGRO-GAZETARI 2026

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), në bashkëpunim me Caritas-in Zviceran në Kosovë, në kuadër të programit Fuqizimi i Ekonomive Rurale në Bujqësi (EREA), komponenta Agro-Media, shpall Garën për Agro-Gazetari 2026.

Qëllimi i garës

Gara për Agro-Gazetari synon të promovojë raportimin cilësor dhe profesional për bujqësinë dhe zhvillimin rural në Kosovë. Përmes kësaj iniciative synohet të inkurajohen gazetarët dhe studentët e gazetarisë që të trajtojnë më shumë tema që lidhen me bujqësinë, fermerët, agrobizneset dhe zhvillimin rural, si dhe të rritet ndërgjegjësimi publik për rëndësinë e sektorit bujqësor në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.

Temat e inkurajuara përfshijnë, por nuk kufizohen në, bujqësinë organike, teknologjitë inovative në bujqësi, sfidat me të cilat përballen fermerët dhe agrobizneset, rolin e grave në bujqësi, praktikat moderne bujqësore, zhvillimin rural, sigurinë ushqimore dhe tema të tjera me interes publik që kontribuojnë në një kuptim më të mirë të sektorit të bujqësisë në Kosovë.

Kategoritë dhe çmimet

Gara organizohet për dy kategori: video-artikull dhe artikull i shkruar, ku në tërësi do të ndahen vendet:

  • Vendi i parë – 700 €
  • Vendi i dytë – 500 €
  • Vendi i tretë – 350 €

Kriteret e aplikimit

Në këtë garë mund të aplikojnë gazetarët e mediave në Kosovë dhe gazetarët freelancer.

Secili aplikues mund të dorëzojë maksimumi një aplikime, përkatësisht një video-artikull ose një artikull të shkruar. Nuk lejohet dorëzimi i më shumë se një materiali.

Për t’u kualifikuar për vlerësim, materialet e dorëzuara duhet të trajtojnë tema që lidhen me bujqësinë, zhvillimin rural, inovacionin në bujqësi, sfidat e fermerëve

dhe/ose

agrobizneseve, fuqizimin e grave në bujqësi, praktikat moderne bujqësore ose tema të tjera me interes publik që kontribuojnë në informimin dhe ndërgjegjësimin për sektorin e bujqësisë në Kosovë.

Artikujt dhe video-artikujt duhet të jenë publikuar gjatë periudhës 10 gusht 2025 deri më 16 gusht 2026.

Video-artikujt nuk duhet të jenë më të gjatë se 30 minuta dhe duhet të dorëzohen përmes një linku funksional ose në format elektronik të qasshëm për jurinë. Artikujt e shkruar duhet të dorëzohen në formën në të cilën janë publikuar.

Të gjitha materialet e paraqitura duhet të jenë punë origjinale të autorit/es dhe të respektojnë standardet profesionale dhe etike të gazetarisë. Materialet që përmbajnë plagjiaturë, informata të paverifikuara ose që cenojnë parimet bazë të raportimit profesional do të përjashtohen nga procesi i vlerësimit.

Aplikuesit janë përgjegjës që materialet e dorëzuara dhe linqet përkatëse të jenë të qasshme dhe funksionale gjatë gjithë periudhës së vlerësimit. Organizatorët rezervojnë të drejtën të kërkojnë informata shtesë ose dëshmi mbi autorësinë dhe publikimin e materialeve të dorëzuara.

Kriteret e vlerësimit

Materialet do të vlerësohen nga një juri profesionale, e pavarur dhe e paanshme, e përbërë nga profesionistë të medias dhe ekspertë të fushës.

Për të dy kategoritë, juria do të vlerësojë origjinalitetin e temës dhe qasjes gazetareske, relevancën e përmbajtjes për sektorin e bujqësisë dhe publikun e gjerë, thellësinë e trajtimit të temës, cilësinë e hulumtimit dhe saktësinë e informacionit, si dhe kreativitetin në rrëfimin dhe prezantimin e storjes.

Në kategorinë e video-artikullit do të merret parasysh edhe cilësia teknike e realizimit, përfshirë përdorimin e videos, audios, montazhit dhe elementeve të tjera vizuale që kontribuojnë në përcjelljen e mesazhit.

Si të aplikoni

Aplikimi bëhet duke dërguar materialin ose linkun e artikullit/video-artikullit në adresën elektronike:

Në subjektin e emailit duhet të shënohet:

“Emri Mbiemri – Agro Competition – EREA”, aplikimet@agk-ks.org

Afatet

Thirrja do të jetë e hapur nga 17 gusht 2026 deri më 11 shtator 2026, ora 16:00.

Fituesit do të shpallen më 24 shtator 2026, në një ceremoni që do të organizohet në Prishtinë.

Rreth programit EREA

Programi Fuqizimi i Ekonomive Rurale në Bujqësi (EREA) synon të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor dhe zonave rurale në Kosovë përmes forcimit të akterëve të tregut, përmirësimit të qasjes në informata dhe promovimit të bashkëpunimit ndërmjet fermerëve, agrobizneseve, institucioneve dhe mediave.

Programi synon të mbështesë bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe mirëkuptimin ndërmjet komunitetit bujqësor dhe atij mediatik, në mënyrë që të rritet vetëdijesimi dhe bashkëpunimi ndërmjet akterëve të sektorit bujqësor dhe medias.

EREA financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim dhe zbatohet nga Caritasi Zviceran.

Share this Post: