Lajmet

THIRRJE PËR APLIKIM PËR AKADEMINË E GAZETARËVE PËR INTEGRITETIN E INFORMACIONIT


2767-title

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës - AGK hap thirrjen për gazetarë dhe studentë të gazetarisë për aplikim në Akademinë e Gazetarëve për Integritetin e Informacionit. Ky aktivitet organizohet me mbështetjen e Institutit Kombëtar Demokratik - NDI dhe USAID në Kosovë.

Nëpërmjet kësaj akademie, AGK do të ofrojë një seri të trajnimeve dhe diskutimeve lidhur me integritetin e informacionit, profesionalizmin në gazetari dhe prezencën e dezinformimit, etikën gjatë raportimit me fokus të veçantë në portretizimin e grave në media dhe perspektivën ligjore të gazetarisë dhe mediave.

Në gjashtë modulet e Akademisë së Gazetarëve për Integritetin e Informacionit përfshihen këto tema:

Moduli 1: Verifikimi i fakteve dhe vlerësimi i informacionit

Moduli 2: Verifikimi i videove dhe imazheve

Moduli 3: Rritja e dezinformatave dhe raportimi gjatë zgjedhjeve

Moduli 4: Dezinformimi gjinor dhe dhuna ndaj grave në politikë

Moduli 5: Aspektet ligjore të veprimtarisë së gazetarëve

Moduli 6: Përgatitja dhe publikimi i një shkrimi/storie

Vizitë studimore në rajon

Disa nga modulet do të udhëhiqen nga ekspertë ndërkombëtarë. Në fund të tyre, secili pjesëmarrës pritet të kontribuojë në shoqëri duke rritur ndërgjegjësimin me një shkrim/storje në mediet përkatëse mbi temat e dhëna gjatë trajnimit. Pjesëmarrësit do të certifikohen pas përfundimit të gjashtë moduleve.

Kriteret për aplikim

  1. Kush dhe si mund të aplikojë?
  • Mund të aplikojnë gazetarët të cilët janë banorë të ligjshëm të Kosovës dhe mbi moshën 18 vjeçare në momentin e përfundimit të thirrjes për aplikim. Gazetarët duhet të jenë në marrëdhënie pune në mediat e regjistruara në Kosovë apo freelance. Gazetarët duhet të jenë të regjistruar në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.
  • Studentët e departamenteve të Gazetarisë, Komunikimit Masiv, Dizajn Komunikimi në universitet shtetërore apo private.
  • Të interesuarit duhet të dërgojnë CV-në dhe një letër motivuese në adresën elektronike aplikimet@agk-ks.org deri më 20 nëntor, ora 16:00.
  1. Kriteret e Vlerësimit

Për përzgjedhjen e pjesëmarrësve, paneli vlerësues do të marrë parasysh kriteret si në vijim:

  • Përshtatshmëria e studimeve, profesionit dhe eksperiencës së punës me modulet dhe tematikat e akademisë.
  • Njohja e gjuhës angleze në nivel mesatar është e domosdoshme pasi realizimi i moduleve do të jetë në gjuhën angleze (pa përkthim).
  • Cilësia e letrës motivuese për pjesëmarrje.
  • Gatishmëria për angazhim të plotë gjatë zhvillimit të akademisë. Pjesëmarrësit pritet të marrin pjesë në të gjitha modulet dhe të angazhohen në aktivitetet tjera të përfshira në program.
Share this Post: