Lajmet

“TRUPAT GJEJNË STREHË, POR A KA SHPRESË PËR SHËRIMIN E TRAUMËS”, NDIHMA PSIKOLOGJIKE BRENDA STREHIMORES SË GJAKOVËS


3627-title

Shkruan: Blerta Zuka

Në një shtëpi të vogël, të fshehur mes rrugëve të Gjakovës, gra dhe vajza të mbijetuara të dhunës seksuale e dhunës në familje kërkojnë një fillim të ri. Për to kjo strehë nuk është vetëm një shtëpi, por një përpjekje për t’u kthyer në jetën normale. Brenda saj, të mbijetuarat përpiqen të gjejnë paqen që u është mohuar. Ato marrin ndihmë psikologjike, dëgjojnë fjalë ngushëlluese e përpiqen të rindërtojnë veten, por jo gjithmonë shërimi vjen aq lehtë.

Gjersa strehimorja ofron aq sa mundet, rruga drejtë shërimit të traumës së tyre mbetet shpesh më e vështirë sesa mendohet. Këshillimi individual e terapia e grupit janë vetëm disa nga metodat që psikologët ofrojnë brenda Shtëpisë së Sigurt për viktimat. Kjo sipas drejtoreshës së këtij institucioni Erblina Dinarama sipas të cilës të mbijetuarave fillimisht u bëhet vlerësim i hollësishëm për t’i kuptuar nevojat e tyre e më pas u jepet trajtimi adekuat.

Megjithëse, sfidat në këtë aspekt janë të pranishme, pasi shpesh herë trajtimet psikologjike nuk e japin efektin e dëshiruar.

“Sigurisht, ka raste kur trajtimet psikologjike mund të mos japin efektin e dëshiruar. Kjo mund të ndodh për disa arsye: si p.sh. kur kemi mungesë të një diagnoze të saktë apo të gabuar nga psikiatri, kur kemi mungesë të angazhimit apo refuzimi nga ana e viktimës e tjerë. Ndonjëherë nuk janë të gatshëm të marrin hapin për ndryshimet e thella të tyre në jetë ose janë skeptikë ndaj procesit. Këtu mund të marrim parasysh rishikimin e gjendjes dhe riplanifikimin e përdorimit të metodave të ndryshme të personalizuara, poashtu bëjmë vlerësimin e faktorëve të jashtëm që kanë ndikuar në përparimin në terapi”, thekson drejtoresha e Shtëpisë së Sigurt në Gjakovë.

Terapia nuk është e mjaftueshme nëse viktimat mbeten të izoluara nga pjesa tjetër e jetës. Prandaj, përpjekjet për t’i integruar përmes ndihmës ligjore, arsimore dhe shëndetësore janë thelbësore.

“Viktima ka nevojë për mbështetje të tjera që vijnë nga insititucione apo organizata të ndryshme, duke filluar nga ato shëndetësore si trajtimi i lëndimeve fizike që kanë marrë, trajtimi psikiatrik, shërbimet juridike p.sh. në rastet mund të kërkojë mbrojtje ligjore (një urdhër mbrojtje nga mbrojtësja e viktimave). Pastaj, viktimat shpesh përballen me izolim social dhe vështirësi ekonomike e cila pengon në rinisjen e jetës së tyre. Andaj, bashkëpunimi me institucionet që ofrojnë arsimim, trajnim profesional ose mundësi punësimi është e rëndësishme për t’i ndihmuar viktimat për riintegrim në shoqëri dhe rregullim të jetës së tyre”, shton Dinarama.

Por, çfarë ndodh kur ndihma që ofrohet nuk është e duhura?

Sipas psikologes klinike Violeta Zefi, mungesa e trajtimit të saktë mund të bëjë që viktimat të thellohen edhe më shumë në ankth dhe depresion.

“Mos marrja e shërbimit profesional mund të çojë në përkeqësim të simptomave të ankthit dhe depresionit, pastaj dështim për të përpunuar traumën, ndikim negativ në marrëdhëniet personale dhe profesionale, rritje të mundësisë për izolimit social etj. Fatkeqësisht, një qasje jo e përshtatshme nga ana e psikologut mund të rrisë ndjenjën e turpit dhe mosbesimit ndaj ndihmës psikologjike”, shpjegon Zefi.

Ndërhyrja e hershme është thelbësore, por shërimi nuk ka një afat të caktuar.

“Shërimi i plotë varet nga shumë faktorët kompleks. Mbështetja sociale që viktima merr është ndër faktorët me të rëndësishëm në procesin terapeutik. Kur viktima mbështetet nga familja, (bashkëshorti/bashkëshortja apo fëmijët) rezultatet e trajtimit janë shumë më të mira. Pastaj, kohëzgjatja dhe intensiteti i traumës ndikojnë drejtpërdrejt në shërimin e traumës. Për me tepër, cilësia e marrëdhënies me terapistin dhe angazhimi i viktimës në procesin terapeutik, janë gjithashtu thelbësore në këtë proces.Megjithatë, disa individë mund të kenë pasoja afatgjata si rezultat i traumës, sidomos i asaj që nuk është trajtuar për shumë vite, por mund të mësojnë të jetojnë një jetë të plotë dhe të shëndetshme”, thotë psikologia klinike, Violeta Zefi.

Në Shtëpinë e Sigurt në Gjakovë, çdo grua mbartë një histori dhe secila kërkon kohën e saj për t’u treguar. E rëndësishme mbetet se dera për to është gjithnjë e hapur.

--

Ky projekt është pjesë e iniciativës së UN Women, “Adresimi i ndikimeve të dhunës me bazë gjinore në Kosovë dhe fuqizimi i të mbijetuarve/eve për të luftuar stigmën dhe për të folur hapur”, mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë.

Share this Post: