U mbajt konferenca "Shëndeti mendor dhe sfidat e gazetarëve"
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë, organizoi sot aktivitetin “Punonjësit medialë dhe shëndeti mendor”, me fokus në barrën psikologjike të gazetarisë, stresin profesional, ekspozimin ndaj traumës, burnout-in dhe mekanizmat e mbështetjes për gazetarët dhe punonjësit medialë. Aktiviteti u hap nga Xhemajl Rexha, Kryetar i Bordit të AGK-së, Pascale Roussy, Drejtoreshë e Departamentit për Demokratizim në Misionin e OSBE-së në Kosovë, si dhe me një video-adresim nga Jan Braathu, Përfaqësues i OSBE-së për Lirinë e Medias.
Në kuadër të aktivitetit u mbajt paneli “Shëndeti mendor dhe barra e fshehur në profesionin e gazetarisë", ku morën pjesë Arben Hajredinaj nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, ish-gazetarja e CNN-it dhe fituesja e çmimit Emmy, Arwa Damon, Tamara Filipović nga SafeJournalists Network, Bind Skeja nga QIPS dhe Monika Kutri nga Asociacioni Kroat i Gazetarëve. Paneli u moderua nga Drejtoresha Ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi.
Diskutimi solli perspektiva institucionale, profesionale dhe rajonale mbi ndikimin që presioni i vazhdueshëm, raportimi nga situata traumatike dhe mjediset me rrezik të lartë mund të kenë në mirëqenien psikologjike të gazetarëve. U diskutua gjithashtu për përgjegjësinë e redaksive dhe institucioneve, rëndësinë e mbështetjes ndërmjet kolegëve, stigmatizimin rreth kërkimit të ndihmës profesionale dhe nevojën për mekanizma më të qëndrueshëm të mbështetjes së shëndetit mendor në media.











