Gazetaria për Ndryshime Klimatike në Kosovë - Udhëzues praktik për gazetarë
Ndryshimet klimatike nuk janë më një temë që mund të kufizohet vetëm në fushën e mjedisit. Ato ndikojnë në mënyrën se si prodhohet dhe konsumohet energjia, si kultivohet ushqimi, si menaxhohen uji dhe pyjet, si ndërtohen qytetet, si mbrohet shëndeti publik dhe si orientohen investimet publike. Për këtë arsye, një storie për klimën mund të jetë njëkohësisht edhe storie për ekonominë, politikën, shëndetësinë, bujqësinë, drejtësinë sociale, energjinë apo qeverisjen.
Ky udhëzues është hartuar si një mjet praktik për gazetarët, redaktorët dhe studentët e gazetarisë në Kosovë. Qëllimi i tij nuk është t’i shndërrojë gazetarët në klimatologë, hidrologë, agronomë apo inxhinierë të energjisë. Synimi është t’u ofrojë gazetarëve njohuri të mjaftueshme shkencore dhe institucionale për të parashtruar pyetjet e duhura, për të dalluar faktet nga pretendimet, për të lexuar raporte dhe të dhëna, për të kuptuar pasigurinë shkencore dhe për të lidhur një ngjarje lokale me kontekstin më të gjerë klimatik, pa nxjerrë përfundime që nuk mbështeten në dëshmi.
Ky publikim është përgatitur në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), në kuadër të projektit “Mbështetje për Partneritetin për Tranzicionin Klimatik dhe Energjetik”, i mbështetur nga Ministria Federale Gjermane për Mjedisin, Veprimin Klimatik, Ruajtjen e Natyrës dhe Sigurinë Bërthamore (BMUKN), përmes Nismës Ndërkombëtare për Klimën (IKI), dhe i zbatuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH.
Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të autorit/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e GIZ-it apo të Qeverisë Gjermane.
Nga: Uran Haxha











