Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) është organizatë joqeveritare, që ka për mision mbrojtjen e lirive dhe të drejtat e gazetarëve, promovimin, inkurajimin dhe përmirësimin e gazetarisë cilësore dhe të hapur në Kosovë, si dhe pozitën e gazetarëve në Kosovë. AGK është e hapur për anëtarësimin e çdo gazetare/i në Kosovë.
AGK është themeluar në vitin 2002 dhe tani ka në gjirin e saj gazetarë, fotoreporterë, kameramanë dhe redaktorë, duke u bërë organizata më përfaqësuese e komunitetit të gazetarëve të Kosovës. AGK deri sot ka arritur të trajtoj dhe të ngritë vetëdijen për çdo instancë ku është cënuar profesioni dhe siguria e gazetarëve.
Nëpërmjet hulumtimeve, avokimit dhe rrjetëzimit me organizatat tjera të gazetarëve në Ballkanin Perëndimor, AGK ka arritur ta ngritë çështjen e sigurisë së gazetarëve me mekanizmat rajonalë, evropianë dhe ndërkombëtarë.
AGK është anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve dhe Federatës Evropiane të Gazetarëve.
Përveç kësaj, AGK vazhdimisht kontribuon në ngritjen profesionale të gazetarëve nëpërmjet trajnimeve, aktiviteteve të rrjetëzimit dhe informimit të brendshëm për komunitetin e gazetarëve. Hulumtimet e organizatës në fushën e sigurisë së gazetarëve kontribuojnë në kuptimin më të thellë së gjendjes reale të sigurisë, si dhe angazhimit më intensiv të forcave të rendit në trajtimin e rasteve të sulmit kundër gazetarëve.
Aktivitetet me institucionet e sundimit të ligjit kanë kontribuar që rastet e sulmeve ndaj gazetarëve në Kosovë të fillojnë të merren me prioritet.