Adresimi i Gjuhës së Urrejtjes me Bazë Gjinore përmes Mediave
Jemi krenarë që në kuadër të projektit rajonal “Youth 4 Inclusion, Equality & Trust”, bashkuam gazetarë, pjesëtarë të shoqërisë civile, të rinj dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare për të diskutuar dhe adresuar gjuhën e urrejtjes me bazë gjinore dhe ndikimin e saj si në hapësirat online, ashtu edhe në ato offline.
Ngjarja përfshiu një panel diskutimi, të moderuar nga Naile Dema Selmani, nënkryetare e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, me panelistë: Besnik Velija - anëtar i bordit të AGK-së, Mexhide Demolli - drejtore ekzekutive në Lëvizja FOL dhe Gjylbehare Murati - eksperte për gjuhë të urrejtjes.
Panelistët theksuan rëndësinë e adresimit të gjuhës së urrejtjes me bazë gjinore dhe rolin vendimtar që kanë mediat në formësimin e narrativave gjinore. Ata ndanë përvoja reale të grave gazetare që përballen çdo ditë me sulme online, kërcënime dhe diskriminim, si dhe diskutuan hapa konkretë për të krijuar hapësira mediatike më të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe respektuese. Në kuadër të kësaj nisme, u nënshkruan Memorandume Mirëkuptimi ndërmjet AGK-së dhe mediave lokale, duke u zotuar për të dedikuar hapësirë mediatike për storie që adresojnë gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin.
Gjithashtu, pjesëmarrësit e Akademisë për Gazetarë dhe Studentë të Gazetarisë: Ndërtimi i Paqes dhe Lufta kundër Gjuhës së Urrejtjes, të mbështetur nga projekti, u certifikuan për angazhimin e tyre në ndërtimin e paqes dhe raportimin etik.
Këto aktivitete janë pjesë e projektit Youth 4 Inclusion, Equality & Trust, të implementuara bashkë me AGK-në, në bashkëpunim me UNDP dhe UNFPA, me mbështetjen e UN #PeacebuildingFund.











