Vesti

Nga statistikat te shëndeti: Kur numrat shpëtojnë jetë++


4159-title

Në shëndetin publik, statistikat nuk janë vetëm numra të shfaqura në tabela, grafikë apo në raporte vjetore. Ato pasqyrojnë gjendjen shëndetësore të popullatës, zbulojnë faktorët që e rrezikojnë atë dhe orientojnë vendimet që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

Fakti që rreth një në tre të rritur në Kosovë jeton me hipertension arterial nuk është thjesht një statistikë. Ai përfaqëson mijëra qytetarë me rrezik të shtuar për infarkt të miokardit dhe goditje në tru. Përfaqëson familje që mund të përballen me humbjen e parakohshme të një të afërmi, një sistem shëndetësor të ngarkuar nga sëmundjet kronike dhe një ekonomi që humb produktivitet për shkak të paaftësisë për punë dhe vdekjes së parakohshme.

Shëndeti është rezultat i ndërveprimit të faktorëve biologjikë, sjelljes së individit, mjedisit ku jetojmë dhe funksionimit të sistemit shëndetësor. Në këtë model, statistikat janë elementi që i lidh këta faktorë. Ato na tregojnë sa njerëz sëmuren, pse sëmuren, kush është më i rrezikuar dhe cilat ndërhyrje japin rezultat. Për këtë arsye, statistikat nuk janë fundi i analizës; ato janë pikënisja e veprimit.

Në nivel individual: statistikat si udhërrëfyes për zgjedhje të shëndetshme

Në nivel individual, statistikat janë mjet që i ndihmon çdo qytetari të kuptojë rrezikun personal dhe të marrë vendime të informuara për shëndetin e tij.

Për shembull, evidencat epidemiologjike e vejnë në pah rrezikun nga hipertensioni arterial. Ato tregojnë se mosha, mbipesha, konsumimi i tepërt i kripës, mungesa e aktivitetit fizik dhe duhanpirja nuk janë vetëm shprehi të pashëndetshme, por faktorë të dëshmuar të rrezikut për hipertension dhe komplikimet e tij.

Po ashtu, hulumtimet tregojnë se ushqyerja e shëndetshme, aktiviteti fizik i rregullt, mbajtja nën kontroll e peshës trupore, ndërprerja e duhanit dhe kontrolli periodik i tensionit arterial e zvogëlojnë ndjeshëm rrezikun e infarktit, goditjes në tru dhe komplikimeve të tjera kardiovaskulare.

Kur qytetari e kupton se rreziku është real, por njëkohësisht edhe i parandalueshëm, ai ka më shumë gjasa të ndryshojë sjelljen e tij. Kjo është fuqia e statistikave: ato ndihmojnë shndërrimin e informatës në vetëdije, dhe të vetëdijes në veprim.

Në këtë nivel, roli i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) është të prodhojë dhe të komunikojë evidencë të besueshme, të promovojë edukimin shëndetësor dhe të mbështesë programet e promovimit të shëndetit. Mbi këtë bazë, profesionistët e kujdesit parësor shëndetësor e përdorin evidencën për zbulim të hershëm dhe këshillim motivues për vetëmenaxhim të faktorëve të rrezikut.

Në nivel komunitar: statistikat si forcë mobilizuese

Shëndeti nuk përcaktohet vetëm nga zgjedhjet individuale. Ai ndikohet edhe nga kushtet në të cilat jetojmë, mësojmë dhe punojmë.

Statistikat ndihmojnë të identifikohen komunat dhe grupet e popullsisë që mbartin barrën më të madhe të sëmundjeve kardiovaskulare ose të faktorëve të rrezikut. Në këtë mënyrë, ndërhyrjet planifikohen aty ku nevoja është më e madhe.

Nëse të dhënat tregojnë prevalencë të lartë të hipertensionit, obezitetit ose pasivitetit fizik në një komunitet të caktuar, përgjigjja nuk mund të kufizohet vetëm në trajtimin e pacientëve. Ajo duhet të përfshijë krijimin e një mjedisi ku mënyra e shëndetshme e jetesës bëhet zgjedhja më e natyrshme.

Kjo nënkupton promovimin e ushqimit të shëndetshëm dhe aktivitetit fizik në shkolla, organizimin e kontrolleve parandaluese në vendet e punës, zhvillimin e programeve komunitare për ecje, sport dhe rekreacion, krijimin e hapësirave publike që nxisin lëvizjen fizike, si dhe forcimin e rolit të familjes në formimin e zakoneve të shëndetshme.

Në këtë nivel, statistikat bëhen instrument mobilizimi. Ato ndihmojnë komunat, shkollat, organizatat e shoqërisë civile dhe mediat të ndërtojnë një kulturë të përbashkët të parandalimit, ku kujdesi për shëndetin nuk mbetet përgjegjësi vetëm e sistemit shëndetësor, por shndërrohet në normë shoqërore.

Në nivel institucional: statistikat si bazë e vendimmarrjes

Institucionet shëndetësore planifikimin e shërbimeve të veta e bëjnë mbi bazën e evidencave ku ofrimi i evidencave është një nga funksionet e IKSHPK-së.

Përmes anketave kombëtare, regjistrave, mbikëqyrjes epidemiologjike dhe hulumtimeve, IKSHPK prodhon evidenca mbi barrën e sëmundjeve, trendet dhe faktorët e rrezikut, duke krijuar bazën shkencore për programet shëndetësore.

Për shembull, nëse statistikat tregojnë se mbi gjysma e rasteve të një SKJ mbeten të padiagnostikuara apo diagnostikohen me vonesë, prioritet institucional duhet të jetë depistimi. Nëse evidenca tregon se një pjesë e konsiderueshme e pacientëve nuk arrijnë kontroll të mjaftueshëm të tensionit arterial, atëherë duhet të përmirësohen udhëzuesit klinikë, ndjekja sistematike e pacientëve dhe edukimi i vazhdueshëm i pacientit.

Po ashtu, trendet epidemiologjike u mundësojnë institucioneve të planifikojnë në mënyrë më efikase barnat esenciale, pajisjet mjekësore, burimet njerëzore dhe financimin e shërbimeve shëndetësore. Për m[ tepër, suksesi i sistemit shëndetësor nuk matet vetëm me numrin e pacientëve të trajtuar, por edhe me numrin e gjendjeve dhe komplikimeve që janë parandaluar falë zbulimit të hershëm dhe kontrollit efektiv të faktorëve të rrezikut.

Në nivel shtetëror: statistikat si themel i politikave publike

Kontrolli i SKJ-ve nuk është përgjegjësi vetëm e sektorit shëndetësor. Ai kërkon bashkëpunim ndërmjet të gjithë sektorëve dhe politika publike të orientuara nga shëndeti.

Statistikat orientojnë vendimmarrjen për masa të tilla si, planifikimi urban që favorizon ecjen dhe biçiklizmin dhe programet kombëtare të depistimit. Pa të dhëna të besueshme, këto politika do të mbështeteshin në supozime dhe jo në nevojat reale të popullatës.

Për këtë arsye, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka identifikuar një paketë ndërhyrjesh me kosto-efektivitet të lartë, të njohura si WHO Best Buys, të cilat rekomandohen veçanërisht për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Këto përfshijnë masa si kontrolli i duhanit, reduktimi i konsumit të kripës, promovimi i aktivitetit fizik, kufizimi i konsumit të alkoolit dhe forcimi i kujdesit parësor. Zbatimi i tyre mbështetet në evidencë statistikore dhe në njohjen e barrës reale të SKJ-ve në secilin vend.

Nëse synojmë të ulim barrën e SKJ-ve në Kosovë, duhet ta ndryshojmë mënyrën se si i shohim statistikat. Ato nuk janë vetëm numra të publikuar në raporte vjetore; ato janë dëshmi, paralajmërim dhe udhërrëfyes për veprim. Në nivel individual, ato ndihmojnë qytetarin të marrë vendime të informuara. Në nivel komunitar, ato mobilizojnë shoqërinë për të ndërtuar një kulturë të parandalimit. Në nivel institucional, ato udhëheqin planifikimin dhe politikat shëndetësore. Në nivel shtetëror, ato bëhen themeli mbi të cilin ndërtohen politika që mbrojnë shëndetin dhe zhvillimin e vendit.image.png

Vetëm kur numrat shndërrohen në veprim, statistikat e përmbushin misionin e tyre më të rëndësishëm: shpëtojnë jetë!

Ky opinion është publikuar në kuadër të projektit “Avancimi i raportimit mbi sëmundjet kronike jo-ngjitëse”, i zbatuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) në partneritet me Projektin Shërbime Shëndetësore të Integruara (IHS), me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).

Për më shumë mbi këtë temë, lexoni edhe hulumtimin e zgjeruar të gazetares Jehona Hulaj, “Të dhënat që shpëtojnë jetë - si mblidhen, interpretohen dhe përdoren në shëndetin publik", në këtë vegëz:Të dhënat që shpëtojnë jetë - si mblidhen, interpretohen dhe përdoren në shëndetin publik - Telegrafi

Share this Post: