Arwa Damon në Kosovë
Ish-korrespodentja e CNN, Arwa Damon, po qëndron në Kosovë me ftesë të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës. Sot në Prishtinë, ajo zhvilloi një bisedë me gazetarët mbi karrierën e saj dhe punën humanitare me organizatën INARA.
Me mbi një dekadë përvojë nga zonat e luftës në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Damon ka sjellë histori nga fronti i krizave më të rënda humanitare në botë. Ajo është fituese e disa çmimeve prestigjioze, përfshirë 5 Emmy, Peabody dhe “Courage in Journalism” nga International Women’s Media Foundation.
Pas përvojës së saj të shquar në gazetari dhe sukseseve, Damon u shkëput nga gazetaria duke themeluar organizatën INARA, e cila ofron ndihmë mjekësore për fëmijët e plagosur nga luftërat. Gjatë bisedës së saj, ajo tregoi si lindi frymëzimi të krijojë këtë organizatë dhe rëndësinë e ndihmës për të prekurit nga konfliktet. Megjithëse raportimi nga zonat e luftës është tejet i vështirë dhe sfidues Damon nuk është penduar për rrugën që ka zgjedhur:
"Nuk do të ndryshoja asgjë nga ato që kam bërë. Nuk do të doja të jetoja ndryshe".
Damon tashmë punon në projekte të pavarura të dokumentarëve, përmes të cilëve vazhdon të sjellë në dritë historitë e njerëzve të prekur nga konfliktet dhe të avokojë për ata që shpesh mbeten të harruar.
Ngjarja u mbyll me një sesion interaktiv, ku audienca pati mundësinë të bëjë pyetje dhe të diskutojë me Damon rreth gazetarisë në zonat e konfliktit, sfidave të ndihmës humanitare dhe fuqisë së tregimit të historive për një ndikim pozitiv në jetën e atyre që janë prekur nga lufta.
Ky event u organizua në kuadër të programit Journalists in Residence – Kosovo, një iniciativë e European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF), e zbatuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).
Programi mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe iniciativa Hannah Arendt. Deri më tani, nga Journalists in Residence – Kosovo kanë përfituar 19 gazetarë nga Ukraina, prej të cilëve gjashtë kanë përfunduar me sukses periudhën gjashtëmujore të strehimit në Kosovë.
#AGK #JiRKosovo #ECPMF