“Diversiteti e pasuron punën tonë”, profesorët e dy komuniteteve tregojnë për bashkëpunimin mes tyre në të njëjtin universitet
Në vendet ku diferencat kulturore shpesh krijojnë barriera, shembujt e bashkëpunimit dhe respektit mes individëve nga komunitete të ndryshme janë tejet inspiruese. Shembull i tillë është ai i profesorit të nacionalitetit serb, Marko Smilic dhe profesorit të nacionalitetit shqiptar, Flamur Abazaj të cilët kanë ndërtuar një marrëdhënie të fortë profesionale dhe miqësore.
Profesori serb, Marko Smilic, i cili njëherit është edhe Dekani i Teknologjisë së Informacionit dhe Menaxhimit Mjedisor e Bujqësor, tha se beson se pika e fortë e universitetit ku ai punon ka qenë gjithmonë mjedisi multikulturor.
“Kemi një ekip kolegësh nga kultura dhe etni të ndryshme, dhe ky diversitet e pasuron punën tonë. Na lejon të sjellim perspektiva të ndryshme në tryezë, duke krijuar një ambient mësimor më gjithëpërfshirës dhe inovativ.”, u shpreh Smilic.
Teksa i të njëjtit mendim është edhe profesori shqiptar, Flamur Abazaj, njëherit edhe Dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale.
“Të jesh i rrethuar nga anëtarë të prejardhjeve të ndryshme etnike dhe kombëtare të nxit të vlerësosh dhe të shohësh çështje dhe tema të tjera nga një sërë perspektivash”, tha Abazaj.
Abazaj tregoi se universiteti në qytetin e Mitrovicës, ku ai edhe kolegu i tij, Smilic punojnë, ofron një hapësirë të barabartë si për profesorët ashtu edhe për studentët që u takojnë komuniteteve të ndryshme.
“Të dyja palët në çdo aktivitet janë gjithmonë të pajisura me të njëjtën hapësirë dhe mundësi për angazhim, duke u mundësuar kështu të ndjekin interesat dhe detyrimet e tyre pa pasur nevojë të shqetësohen nëse prejardhja e tyre etnike do të luajë një rol në këtë.”, ka thënë ai.
Që të dy profesorët thanë se përveç angazhimit të tyre brenda universitetit, ata kanë bashkëpunuar edhe me organizata ndërkombëtare, shoqërinë civile si dhe grupe të tjera, gjë e cila ka nxitur punën në grup dhe mirëkuptimin midis studentëve dhe stafit nga grupe të ndryshme etnike.
Profesori Smilic thotë se bashkëpunimi mes tij dhe profesorit që i përket nacionalitetit tjetër është një shembull i mënyrës se si individët nga komunitete të ndryshme mund të punojnë së bashku drejt qëllimeve të përbashkëta.
“Duke promovuar një atmosferë gjithëpërfshirëse në universitet, tregojmë se bashkëpunimi dhe respekti i ndërsjellë janë të mundur, pavarësisht prejardhjes etnike. Ky model pozitiv i ndërveprimit shtrihet përtej universitetit, duke kontribuar në marrëdhënie më të mira midis komuniteteve serbe dhe shqiptare në përgjithësi.”, u shpreh tutje Smilic.
Që të dy profesorët thanë se studentët duhet të “përqafojnë” diversitetin përreth tyre, pasi ai është një burim force e mësimi, dhe se bashkëpunimi përtej kufijve kulturorë është një nga përvojat më të pasura që mund të kenë.
Autore: Majlinda Jashari