Kush e nxit dhunën ndaj grave, feja apo predikuesit e saj?
Shkruan: Iliri Pireva
Lil Jay është një yll i rrjeteve sociale. Këtë famë, e reja nga Queenslandi i Australisë e arriti si këngëtare dhe artiste.
Ka një kohë që ajo është futur edhe në ujërat e religjionit, në një mënyrë unike, pasi që u konvertua në Islam. Më shumë se për muzikën hip hop, me të cilën identifikohej më parë, ajo tashti njihet si vajza që flet me CHATGPT, duke bërë pyetje për Islamin dhe fetë nëpërgjithësi.
Në njërin nga komunikimet e saj të shumëpërfolura më këtë instrument të Inteligjencës Artificiale, ishte edhe ai kur e pyetse a mund ta lexojë Kuranin dhe t’i tregojë asaj mandej sa herë përmenden në këtë libër të shenjtë të myslimanëve, burri dhe gruaja.
"Në Kuran, burri dhe gruaja përmenden 24 herë secili, duke simbolizuar balancën mes barazisë e tyre në sytë e Zotit”, është përgjigja që merr ajo nga inteligjenca artificiale.
www.youtube.com/shorts/sz2NiMVR--E
Në këtë formë australiania me miliona ndjekës në rrjete sociale po tenton të nxisë debat mbi tolerancën fetare duke mos harruar t'i adresojë edhe keqkuptimet rreth të drejtave të grave në disa religjione.
Jay përmes platformave të saj po përpiqe të nxisë debat konstruktiv rreth mësimeve fetare, barazisë gjinore dhe vlerave të sotme shoqërore.
Kësi rekomandime do të ishin të mirëpritura edhe nga klerikët e feve të ndryshme, gjithandej botës.
Por, a po veprohet kështu edhe në Kosovë?
Përgjigja mund të jetë po edhe jo. Platformat po përdoren, sigurisht, me të madhe. Promovimi i barazisë gjinore...jo edhe aq.
Në një video më shumë se 6 minutëshe me titullin "Barazia Gjinore - Fjalim i bukur nga Hoxhë Bekir Halimi" ky imam flet për rëndësinë e respektimit dhe mbrojtjes së gruas në Islam. Por, shton se ajo nuk duhet të angazhohet në punë fizike e as ato intelektuale, duke e përcaktuar rolin e saj kryesisht si një "qenie vetëm të riprodhimit”.
Në njërast tjetër, hoxha me emrin Qëndrim Jashari, duke iu referuar një ajeti kuranor, thotë se burrat qëndrojnë më lart se gratë dhe kritikon ashpër një organizatë ndërkombëtare që mbështet të drejtat e grave, duke e cilësuar atë si një kërcënim për strukturat fetare.
Kleriku tjetër shumë i ndjekur në rrjetet sociale, Irfan Salihu, në raste të caktuara, kur ka folur për situata e gra të caktuara, ka ditur të eskalojë në diskursin e tij, duke i përshkruar ato në mënyra më denigruese.
"Këto rr*spia e k*rva, çdo femen që bën akt intim pa nikah, pa kurorë sipas dispozitave të Islamit është rr*spi dhe k*rvë," deklaron Salihu.
Për këtë qasje ku ai diskuton për "moralitetin e femrave" duke i quajtur ato "rr*spia e k*rva" dhe një deklarate tjetër antikombëtare, një komision disiplinor i Bashkësia Islamike e Kosovës e shkarkoi nga gjitha detyrat fetare më 2015.
Ky vendim i BIK përbënë një dëshmi se rastet si ai i hoxhë Irfan Salihut nuk përfaqësojnë krejt komunitetin e imamëve dhe se në Kosovë ka jo pak njerëz të fesë që thërrasin për të kundërtën e asaj çfarë ka bërë në këtë rast imami nga Prizreni.
Një nga ta është Besa Ismaili Ahmeti, politikane dhe ish deputete e parlamentit të Kosovës, e njëherazi, ligjëruese në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë.
Në shkrim autorial “Qëndrimi i Muhamedit a.s. ndaj grave”, të cilin ajo e ka shkruar për revistën Dituria Islame, një organ ky mediatik i BIK, Ismaili Ahmeti thotë se profeti i myslimanëve ka proklamuar barazinë në status dhe rëndësinë e të dyja gjinive në katër shtylla kryesore të ekzistencës dhe interaksionit fetar – nëçështjet fetare, në obligimet fetare dhe shpërblimet për kryerjen e tyre, në arsimim dhe në të drejta ligjore te garantuara që nga lindja deri në vdekje.
“Shoqëria që proklamoi Muhamedi a.s., është një shoqëri dy gjinore, në të cilën secila palë bart përgjegjësi të caktuara, nuk jetojnë as në pavarësi e as në varësi nga njëri-tjetri, por secila palë ka rol të barabartë dhe të kompletuara”, ka shkruar Ismajli Ahmeti. Pas vdekjes së tij, Aisheja r.a. ishte burimi kryesor i informatave për Muhamedin a.s. Ajo shquhej për mendjemprehtësi dhe gjykim, ishte e zonja në medicinë dhe në poezi".
https://dituriaislame.com/qendrimi-i-muhamedit-a-s-ndaj-grave/
Një prej imamëve të rinj kosovarë qëpunon për të ndërgjegjësuar dhe nxitur ndryshime pozitive në komunitetin mysliman, duke u fokusuar në përmirësimin e trajtimit dhe përfaqësimit të grave në të gjitha sferat e jetësështë Labinot Maliqi.
Ky thotë se Kurani i trajton gratë dhe burrat si të barabartë, duke theksuar se të dy janë të njëjtë para Zotit.
"Në Kuran, i Plotfuqishmi kërkon që burrat dhe gratë të bashkëpunojnë në përmbushjen e detyrave të tyre shoqërore dhe fetare. Ne aspektin shoqëror, gratë janë të barabarta me burrat në përgjegjësinë për të promovuar drejtësinë dhe mirëqenien. Këto udhëzime padyshim se promovojnë një marrëdhënie respekti të ndërsjellë," shprehet Maliqi
Edhe Bibla, libri tjetër hyjnor që është bazë e fesë së krishterë, ka një qasje pozitive për barazinë gjinore. Sipas priftit Don Mikeli nga Kisha Katolike, Bibla thotë se të gjithë njerëzit, pavarësisht gjinisë, janë krijuar sipas imazhit të Zotit dhe meritojnë dinjitet të barabartë. Libri, siç këmbëngul ai, thërret në atë se burrat dhe gratë duhet të punojnë së bashku, si partnerë të barabartë në të gjitha aspektet e jetës, përfshirë ato familjare, sociale dhe shpirtërore"
"Hyji krijoi njeriun në përngjasimin e vet; i krijoi mashkull e femër. Hyji i bekoi dhe u tha: “Shtohuni e shumohuni e mbusheni tokën dhe sundojeni atë! Bëhuni zotëruesit e peshqve të detit, të shpendëve të qiellit dhe të çdo gjallese që lëviz përmbi tokë, lexon fjalët e shkruara don Mikeli.
Por, Pastori Femi Cakolli nga Kisha Protestante e Kosovës ka një perspektivë pak më ndryshe rreth çështjes së barazisë gjinore në shkresat fetare. Ai mendon se Bibla, e shkruar rreth 3500 vjet më parë, nuk e paraqet dhe përshkruan barazinë gjinore ashtu siç e kuptojmë sot. Sipas tij, ky libër përcakton role të ndara për burrat dhe gratë, duke pasur një hierarki të qartë mes tyre.
"Nuk e di për kuran edhe pse e kam lexuar, por unë po flasë për Biblën dhe cilido që thotë se ka barazi si koncept unë them që nuk ka, nuk ka barazi. Por, në vend të barazisë, çka konsiderohet - barazia në zhvillimin e besimeve nuk mendohet sikur sot në kohët posmoderniste në barazi gjinore, barazi në martesë nuk ka qenë kështu asnjëherë"
Pastori Cakolli gjithashtu thotë që edhe pse në Bibël nuk gjenden ide si ato të kohëve moderne të ndarjes së fesë nga shteti, lirisë qysh kuptohet sot ose edhe barazisë gjinore, këto koncepte mund të dallohen në mënyrën si Bibla trajton çështjet shoqërore dhe shpirtërore. Ai përmend historinë e krijimit të Adamit dhe Evës, ku burri u krijua i pari dhe gruaja më pas, si një shembull, që sipas tij, tregon rendin dhe hierarkinë që parashikon Bibla përsa i përket statusit të burrave dhe grave në shoqërinë dhe besimin e krishterë.
Por normat patriarkale ku burri, në doktrinat fetare, favorizohet më tepër se gruaja duhen ndryshuar sipas ekspertes së barazisë gjinore Mirishahe Syla, e cila thërret për një qasje të re në lidhje me interpretimin e teksteve fetare.
“Duhet krijuar më shumë hapësira për lexime feministe te teksteve fetare, më shumë hapësira për gratë me qasje feministe të cilat e interpretojnë besimin e tyre duke u bazuar mbi të drejtat e tyre si njerëz te barabartë brenda religjionit”, thotë ajo.
Në kishën katolike të Kosovës e pranojnë se diskutimet globale për një rol më aktiv të grave në lidership është duke u diskutuar shumë. Një nga arsyet pse po ndodh kjo, është dyshimi nëse situata dhe statusi i deritashëm i grave ishte përnjëmend vullnet hyjnor, apo urdhër i krerëve të parë të kishës, mijëra vite më parë.
"Kisha me kujdes është duke i trajtuar disa aspekte në këtë drejtim, se a kanë të bëjnë me mentalitetin e kohës apo janë parime të kërkuara nga vet Zoti"
Mësimet dhe praktikat fetare, të çimentuara shumë shekuj më parë, sipas Sylajt kanë ndikuar edhe në përcaktimin e roleve dhe traditave në familjet tona.
"Shumë tradita në të cilat thirren familjet tona, sidomos sa i përket ceremonive të ndarjes në familje, ndarjes se trashëgimisë, martesave, e ngjarjeve tjera brenda familjes, kanw elemente fetare përmes të cilave legjitimohet roli dominues i burrave në familje", thotë ajo.
Por se feja, të paktën ajo islame e nxit këtë, e mohon Hoxhë Labinot Maliqi.
Ai pohon se Islami dhe traditat shqiptare nuk e kufizojnë gruan në rolet familjare, por përkundrazi e inkurajojnë arsimimin dhe kontributin e saj në shoqëri. Pos kësaj hoxhë Maliqi shton se Kurani përcakton qartë një ndarje të drejtë edhe të pasurisë për gratë ndërsa përmend Aishen, bashkëshorten e profetit Muhamed, si një shembull të fuqishëm të një gruaje dijetare e cila luajti një rol të rëndësishëm në arsimimin e shoqërisë së asaj kohe.
Edhe ligjëruesja Besa ismajli Ahmeti e thotë të njëjtën gjë, pak a shumë.
“Muhamedi a.s. rekomandonte që në mungesë të tij, për çështjet fetare njerëzit ta pyesnin gruan e tij, Aishen r.a”, shkruan ajo.
Në anën tjetër edhe Don Mikeli thekson se Kisha nuk është vetëm një vend për lutje, por edhe një hapësirë edukative për fëmijët dhe të rinjtë. Ai vlerëson rëndësinë e edukimit të gruas, duke e cilësuar atë esencial për barazinë dhe zhvillimin e komunitetit. Gjithashtu, ai bën thirrje për të luftuar për të drejtat e trashëgimisë të grave, me qëllim të ndryshimit të mentaliteteve të vjetra që i mbajnë gratë larg pronës dhe trashëgimisë.
"Nëse marrim për bazë barazinë të qenies njerëzore në dinjitet, atëhere një përgjegje shume konkrete e gjejmë edhe për çështjen e pronësisë familjare. Gjithësesi duhet të punohet më shumë në këtë pikë për të nxitur vetëdijen e njerëzve tanë të ndikuar nga një e kaluar jo e lakmuar e popullit tonë", thotë don Mikeli.
Por, një rol edhe më aktiv në luftën kundër dhunës me bazë gjinore e kërkon Syla. Kjo e fundit i kritikon edhe për heshtjen dhe mos reagimin e institucioneve fetare ndaj rasteve të abuzimeve dhe vrasjeve të grave nga bashkëshortet e tyre. "
"Shpesh, janë vet përfaqësues te këtyre institucioneve qe nxisin diskriminimin dhe dhunën me baze gjinore, duke ligjëruar mbi rolet gjinore, e specifikisht atë të grave, si njerëz të klasit të dytë që duhet t’u nënshtrohen dëshirave dhe urdhrave t ëburrave në jetën e tyre, e duke i nxitur burrat të luajnë rolin e autoritetit moral, ekonomik, e politik ne shoqëri”, thotë ajo.“Në rastet e shumta të dhunës ndaj grave, madje edhe kur gratë janë vrarë nga bashkëshortet apo burra të tjerë të afërm të tyre, reagimet e shumta kane ardhur kryesisht prej qytetareve dhe shoqërisë civile, kurse institucionet fetare të thirrura në promovim të paqes e të dinjitetit të secilit, kanë qenë të rezervuara në reagimet e tyre kundër këtyre krimeve", thotë Syla.
Por, në bashkësinë Islame nuk do të pajtoheshin më këtë që thotë Syla. BIK, të premten e 27 gushtit 2021 kishte urdhëruar krejt imamët e vetë, që me rekomandim të kryetarit të kësaj bashkësie, në të gjitha xhamitë e vendit të mbahet një hytbe (ligjëratë) e përbashkët me temë: “Angazhimi familjar dhe kolektiv për luftimin e dhunës ndaj femrës”
“Në mesazhin e hytbesë së kësaj të premteje, u theksua dhe u shpjeguan argumentet fetare pse jemi të obliguar edhe fetarisht për këtë çështje. Më tej u theksua se vrasja e një vajze të re në Ferizaj nga bashkëshorti i saj ishte lajmi që tronditi shoqërinë tonë këtë javë që veç po e lëmë pas”, thuhet në një njoftim të BIK, të asaj kohe.
https://bislame.net/ne-te-gjitha-xhamite-e-kosoves-u-mbajt-hytbe-kunder-dhunes-ndaj-femres/
Reagime e organizime të ngjashme për ndaljen dhunës ndaj gruas thuhet se zhvillohen edhe në kishën katolike.
Ndërkaq, Pastori Femi Cakollit thotë se është duke u munduar të punojë në promovimin e barazisë gjinore, duke ofruar këshilla për çiftet e reja .
Por, sipas tij një pengesë kryesore për barazinë gjinore në shumë familje kosovare është mungesa e dashurisë tek burrat. Ai thotë se burrat, e rritur në familje të mëdha ku ndarja e dashurisë është e vështirë, shpesh nuk mësojnë të shprehin ndjenjat e tyre, çka ndikon negativisht në mënyrën se si më pas menaxhojnë marrëdhëniet dhe çështjet e tyre familjare.
"Ky njeri nuk ka marrë dashuri nga babai, as nga vëllai, dhe as nga nëna. Madje, ai nuk ka marrë dashuri as nga Zoti. Sot, gratë e përjetojnë këtë problem dhe pyesin pse ai nuk më do mua? Ky është si t’i thuash një të verbëri, ‘Pse nuk po më sheh?’ Unë ju them bashëshorteve: ‘A dini se ky njeri është i sëmurë?’ Është si t’i thuash lopës të japë qumësht kur nuk ka. Ky burrë, nëse mbushet me dashuri, mund ta dashurojë edhe familjen e tij siç duhet", thotë Cakolli
Në përpjekjet për të ndryshuar këtë realitet, roli i komunitetit fetar është jetik, së bashku me atë të shtetit, medias dhe organizatave joqeveritare. Të gjithë këta aktorë mund të ndikojnë drejtpërdrejt në realizimin e ndryshimeve të qëndrueshme kur të gjithë në shoqërinë kosovare do të ishin të barabartë.
--
Ky projekt është pjesë e iniciativës së UN Women, “Adresimi i ndikimeve të dhunës me bazë gjinore në Kosovë dhe fuqizimi i të mbijetuarve/eve për të luftuar stigmën dhe për të folur hapur”, mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë.