Mbahet trajnimi “Ndikimi i luftës në Ukrainë në çështjet globale dhe të BE-së: Analizimi i ndryshimeve dhe sfidave në raportim”
Sot u zhvillua një trajnim i veçantë dedikuar gazetarëve ukrainas që janë duke qëndruar në Kosovë. Trajnimi u mbajt nga Prof. Afrim Hoti, ligjërues në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, i cili solli një qasje të thelluar dhe analitike mbi zhvillimet ndërkombëtare pas nisjes së luftës në Ukrainë.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime interaktive mbi dinamikat globale të pushtetit që kanë ndryshuar pas fillimit të luftës, ndikimet ekonomike, politike dhe të sigurisë që kjo luftë ka pasur në Bashkimin Evropian dhe të gjithë botën si dhe rolin e gazetarëve në raportimin e konflikteve dhe sfidat që hasin gjatë mbulimit të çështjeve ndërkombëtare.
Në fund të trajnimit u zhvillua një diskutim i hapur mes pjesëmarrësve dhe profesorit, ku gazetarët ndanë përvojat e tyre dhe reflektuan mbi përgjegjësinë e raportimit të saktë dhe profesional gjatë konflikteve të gjata dhe të ndërlikuara.
Gazetarët ukrainas janë strehuar në Kosovë në kuadër të programit Journalists in Residence - Kosovo, program i iniciuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF dhe i implementuar nga AGK-ja.
Ky program mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si dhe iniciativa Hannah Arendt.
Nga programi Journalists in Residence – Kosovo, deri më tani kanë përfituar 19 gazetarë nga Ukraina, prej të cilëve gjashtë kanë përfunduar me sukses periudhën gjashtëmujore të strehimit në Kosovë.