Lajmet

AGK dhe UNHCR mbajnë punëtori për raportimin rreth temave për migrimin dhe refugjatët


3519-title

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës - AGK, dhe Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët - UNHCR, kanë mbajtur një punëtori në të cilën është diskutuar lidhur me raportimin mbi çështjet e migrimit dhe refugjatëve.

Ky diskutim u moderua nga nënkryetarja e bordit të AGK-së, Naile Dema – Selmani, dhe pjesë e panelit ishin Mehmet Krasniqi – anëtar i bordit të AGK-së, Derandi Krasniqi nga UNHCR OCM, Shpend Qamili – UNKT, Stylia Kampani – IOM dhe Lyudmila Makey, gazetare ukrainase, e cila po strehohet në Kosovë në kuadër të programit Gazetarët në Rezidencë në Kosovë.

Fokus i këtij diskutimi ishin sfidat me të cilat përballen migrantët dhe refugjatët, si dhe raportimi në media, gjegjësisht luftimi i dezinformimit lidhur me raportimet në media për migrantët dhe refugjatët.

Anëtari i bordit të AGK-së, Mehmet Krasniqi, tha se falë projektit Gazetarët në Rezidencë, që financohet dhe mbështetet nga qeveria gjermane dhe ajo e Republikës së Kosovës, gazetares Lyudmila dhe kolegëve të saj u mundësohet banimi si dhe ushtrimi i profesionit të tyre.

Krasniqi tha se nga projekti “Gazetarët në Rezidencë(Journalists in Residence)” kanë përfituar gjithsej 19 gazetarë ukrainas dhe se aktualisht 14 prej tyre vazhdojnë të jetojnë dhe të punojnë në Kosovë, si dhe 5 gazetarë afganë të cilët janë strehuar në Kosovë për shkak të krizës në Afganistan.

Gazetarja ukrainase, Lyudmila Makey, tha se programi “Gazetarët në Rezidencë” është unik sepse gazetarëve ukrainas u ofrohet mundësia që të vazhdojnë ta ushtrojnë profesionin e tyre. Ajo u bëri ftesë të gjithë kolegëve gazetarë që pas përfundimit të luftës ta vizitojnë Ukrainën, si dhe prezantoi te gjitha aktivitetet e bëra në Kosovë nëpërmjet të cilave janë prezantuar traditat dhe indetiteti i shtetit të Ukrainës.

Në fund, edhe gazetarët nga mediat e ndryshme në Kosovë folën rreth përvojave të tyre që kanë pasur gjatë raportimeve në punën e tyre, lidhur me çështjet që kanë prekur migrantët dhe refugjatët.

Share this Post: