AGK-ja dënon sulmet denigruese online ndaj gazetarëve të “Betimi për Drejtësi”
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës - AGK, dënon serinë e sulmeve online që kanë ndodhur kundër gazetarëve të medies “Betimi për Drejtësi”, Betim Musliu dhe Diellza Luzha.
Që të dy tashmë kanë ushtruar kallëzim penal ndaj 3 faqeve online në rrjete sociale për shkak të sulmeve dhe ngacmimeve të vazhdueshme. Sipas ekipit të “Betimit për Drejtësi”, sulmet denigruese dhe shpifëse kanë ardhur pas publikimit të hulumtimit “Ikja e mjekëve nga orari i punës prej spitaleve publike”. AGK-ja i konsideron sulmet e tilla ndaj gazetarëve të papranueshme dhe si faktorë që ndikojnë negativisht në punën e tyre profesionale.
Gjithashtu, AGK-ja fton organet e sigurisë që ta kryejnë punën e tyre për identifikimin e autorëve, si dhe kërkon nga organet e drejtësisë që ta shqyrtojnë me prioritet kallëzimin penal të paraqitur nga gazetarët.











