AGK-ja dhe UNKT ndajnë çmimet për raportimin më të mirë kundër varfërisë 2022
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës - AGK, në bashkëpunim me Agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Kosovë - UNKT, nën koordinimin e Zyrës së Koordinatores për Zhvillim – Arnhild Spence, ka mbajtur sot edicionin e 17-të, të çmimeve vjetore të gazetarisë për raportimin më të mirë kundër varfërisë.
Këtë vit, në kategorinë "Video-storja e shkurtër më e mirë", u shpërblye storja e gazetares Doruntina Bylykbashi nga RTV Dukagjini.
Çmimi për audio-storjen më të mirë iu nda gazetares nga Radio Kosova 2, Milena Todorovic.
Çmimi për storjen e shkruar më të mirë iu nda gazetares së Kosovo2.0, Dafina Halili për “Shkolla fantazmë, shkolla geto e ndërrime të segreguara”.
Teksa, në kategorinë “Dokumentari më i mirë televiziv”, çmimin e fitoi dokumentari “Asgjë për Pakicën”, i gazetarit Diamant Bajra.
Për fotografinë më të mirë u shpërblyen fotografi i pavarur, Valdrin Fetahu dhe Adnan Beqiri.
Përveç këtyre çmimeve, me çmim special u shpërblye edhe gazetarja e RTK-së, Majlinda Doda në kategorinë audio storja më e mirë.
Çmimet janë ndarë nga UNDP, UN Volunteers, UNICEF, UNOPS, OBSH dhe UNFPA.