Lajmet

AGK-ja e mirëpret aktakuzën e re që lidhet me sulmet kundër gazetarëve në veri në vitin 2023


3810-title

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), është njoftuar sot për ngritjen e aktakuzës kundër dy personave për sulmet ndaj gazetarëve në vitin 2023, në veriun e Kosovës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale është ngritur aktakuzë ndaj deputetit të Kuvendit, Slavko Simiq dhe U.V, për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.

Sulmi kishte ndodhur me 16 qershor 2023 në qytetin e Leposaviqit, dhe Prokuroria e ngaron Simiqin se “me dashje ka marrë pjesë në turmën e mbledhur prej më tepër se tetë persona, ashtu që në momentin që nga objekti i komunës së Leposaviqit del ministri E.K., personat civil të maskuar fillojnë të gjuajnë shok bomba në drejtim të veturës zyrtare, dhe pasi që kalon vetura zyrtare, i pandehuri u jep urdhër turmës duke thënë që të i sulmojnë mediat, me ç`rast vazhdon sulmi në drejtim të gazetarëve dhe mediumeve të Republikës së Kosovës, fillimisht me shok bomba, pastaj i godasin me grushte, shqelma dhe mjete të forta si kubëza betoni tulla, ngjyra dhe gjësende tjera, si pasojë e të cilave kanë pësuar lëndime të rënda trupore dy gazetarë”.

Ndërkaq i pandehuri tjetër "U.V., si i përfshirë drejtpërdrejtë në përdorimin e forcës ndaj gazetarëve akuzohet për kryerjen e veprave penale ”Sulmi” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e mirëpret këtë aktakuzë, dhe do ta ndjekë nga afër procesin e gjykimit. AGK-ja angazhohet që të gjitha sulmet ndaj gazetarëve në maj dhe qershor 2023, të marrin dënimet e merituara nga sistemi i drejtësisë.

Së paku 9 gazetarë dhe kameramanë kishin pësuar lëndime trupore, më së rëndi kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi, gjatë sulmit të një turme të maskuar, më 16 qershor 2023, në Leposaviq.

Share this Post: