Lajmet

AGK kundër futjes së RTK-së në ligjin e pagave


2169-title
Prishtinë, 01.02.2019 - Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka përcjellë me vëmendje përpilimin e ligjit për pagat nga ana e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, si dhe shqetësimet e ngritura për këtë nismë, ku është propozuar të përfshihet edhe transmetuesi publik, RTK-ja.
 
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, përmes kërkesës zyrtare, ka disa ditë që i është drejtuar kreut të këtij Komisioni, z. Nait Hasani, i cili njëherësh është edhe inicues i përfshirjes së punonjësve të RTK-së në ligjin e pagave, me interesimin se nga cila praktikë e Transmetuesve Publik të vendeve demokratike është shërbyer kur kanë propozuar një zgjidhje të tillë. Mirëpo as deri më sot, z. Hasani nuk i është përgjigjur shqetësimeve të ngritura nga AGK.
 
AGK kërkon nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që mos ta miratojnë ligjin për paga ku nën një ombrellë futen gazetarë e shërbyes civil dhe pagat e punonjësve të RTK-së qoftë me apo pa kufizime, të rregullohen me ligj të veçantë.
 
AGK do të vazhdojë ta përcjellë nga afër këtë nismë dhe nëse një ligj i tillë miratohet, do të kërkojë mos dekretimin e tij nga Presidenti dhe do të ndërmarrë hapa tjerë në shërbim të mbrojtjes së gazetarëve.
Share this Post: