AGK mirëpret gazetarët e edicionit të shtatë të Media Fellowship të OSBE-së në Kosovë
Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, dhe Drejtorja Ekzekutive, Getoarbë Mulliqi, kanë pritur në një takim informues tetë gazetarë të rinj shqiptarë dhe serbë, pjesëmarrës në edicionin e shtatë të programit “Media Fellowship”, të Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Gjatë vizitës në ambientet e AGK-së, përfaqësuesit e organizatës prezantuan punën që AGK-ja bën në mbrojtje të gazetarëve, promovimin e gazetarisë profesionale dhe lirinë e shprehjes, si dhe përkushtimin e vazhdueshëm për përmirësimin e kushteve të sigurisë për gazetarët në Kosovë.
Në takim u theksua edhe rëndësia e bashkëpunimit me organizata partnere në implementimin e projekteve që synojnë të forcojnë mjedisin mediatik në vend. Po ashtu, u prezantuan disa nga aktivitetet që AGK-ja ka planifikuar për muajt në vijim, përfshirë trajnimet, fushatat ndërgjegjësuese dhe angazhimet në mbështetje të gazetarëve.
Vizita u zhvillua në kuadër të programit “Media Fellowship”, që ka për qëllim të mbështesë zhvillimin profesional të gazetarëve të rinj dhe të nxisë bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve përmes gazetarisë.











