AGK premton mbështetje për gazetarët që mbulojnë politikat mjedisore
Prishtinë, 22.01.2019 – Organizata “Let’s Do It Kosova” sot ka mbajtur punëtorinë “Politikat mjedisore dhe sfidat në zbatimin e tyre”, pjesë e së cilës ka qenë edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Vesa Bala nga AGK, ka folur për rolin e medieve në trajtimin e temave që lidhen me mjedisin. Ajo po ashtu ka theksuar mbështetjen e AGK-së për të gjithë gazetarët që mbulojnë politikat mjedisore.
“Ne gjithmonë do të ofrojmë mbështetje për të gjithë gazetarët që promovojnë mbrojtjen e mjedisit. Jemi të gatshëm t’iu ofrojmë ndihmë edhe në rast se hasin në neglishencë nga organet përgjegjëse. Gjithashtu i inkurajomë gazetarët të vazhdojnë të raportojnë edhe për politikat e mjedisit ku përfshihen çështje të shumta.” – tha Bala.
Luan Hasanaj, drejtor i Let's Do It Kosova, ka thënë se për zbatimin e politikave mjedisore në Kosovë, nevojitet bashkëpunimi i të gjithë akterëve, përfshirë këtu edhe mediet.
“Vlera më e madhe e gjithë kësaj është përfshirja e të gjithë aktorëve, si institucione shtetërore, organizata dhe medie. Një debat si ky i ka munguar shoqërisë prandaj shpresoj në një bashkëpunim më të ngushtë që bashkarisht të orientojmë politikat mjedisore.” – është shprehur Hasanaj.
Leutrim Sahiti, këshilltar i ministrit të MMPH-së, gjithashtu ka vlerësuar këtë bashkëpunim, si ndihmesë drejtë sfidave që ndërlidhjen me mjedis.
“Ne dëshirojmë të kemi një vetëdijesim gjatë vitit 2019-të, do kemi aktivizim më të madh të inspektorëve dhe një fushatë më aktive për qytetarët në bashkëpunim me “Let’s Do It Kosova”, por edhe me gazetarët që shumë shpejtë do bëhet publike.”- ka shtuar Sahiti.
Të pranishëm në punëtori ishin edhe inspektorët komunalë si dhe gazetarë të mediume të ndryshme.











