Lajmet

AGK prezanton Raportin dhe Indeksin për Lirinë e Medias dhe Sigurinë e Gazetarëve për vitin 2024


3824-title

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës prezantoi raportin dhe indeksin vjetor për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve në Kosovë, i cili publikohet në kuadër të platformës rajonale SafeJournalists Network.

Raporti u prezantua nga autorja dhe hulumtuesja, njëkohësisht Drejtorja Ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi. Pjesë e panelit ishin edhe Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, dhe Zyrtari Ligjor i AGK-së, Yll Zekaj, i cili ka shërbyer si ekspert ligjor në përgatitjen e raportit.

Gjetjet kryesore të raportit për vitin 2024 përfshijnë:

- 53 raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve, përfshirë 9 kërcënime serioze për jetë, 7 sulme fizike dhe 18 forma të presionit jofizik. Rritje e rasteve të sulmeve në ambientin online, veçanërisht ndaj grave gazetare.
- 13 raste të sulmeve, ndërhyrjeve apo presionit ndaj mediave dhe organizatave mediale.
- Ndërhyrje politike shqetësuese ndaj mediave, përfshirë presione të drejtpërdrejta ndaj RTK-së që kulmuan me dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm Shkumbin Ahmetxhekaj, si dhe sulme verbale dhe ligjore ndaj mediave nga zyrtarë shtetërorë.
- Rritje e padive SLAPP ndaj gazetarëve e aktivistëve: rastet e Robert Bojaj, Ardiana Thaçi Mehmeti, Betim Musliu, Ehat Miftarit dhe Leonida Molliqajt janë dëshmi e tentimeve për heshtjen e raportimit kritik dhe aktivizmit publik.
- Themelimi i Rrjetit të Grave Gazetare të Kosovës si një iniciativë thelbësore për fuqizimin dhe mbrojtjen e gazetareve në mungesë të një sindikate funksionale.

Raportin e plotë do ta keni të qasshëm në fund të muajit në faqen tonë.

Diskutimi u zhvillua me gazetare nga gjithë vendi, si dhe përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare që punojnë për lirinë e shprehjes dhe të drejtën për informim.

AGK rithekson angazhimin e vet për të mbrojtur të drejtat e gazetarëve dhe për të avancuar standardet e gazetarisë së lirë dhe të sigurt në Kosovë.

Share this Post: