Çmimet Vjetore për Gazetari 2021 – Kastriot Berisha shpërblehet me çmimin "Gazetari i Vitit"
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës - AGK, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, sot ka ndarë Çmimet Vjetore për Gazetari 2021.
Juria profesionale e përbërë nga Elida Ramadani, Bahri Cani, Gjeraqina Tuhina, Annamari Repiq dhe Sylejman Kllokoqi, ka vlerësuar 55 aplikimet që ka pranuar AGK-ja.
Në kategorinë “Gazetari i Vitit”, u shpërblye gazetari Kastriot Berisha nga KALLXO.com, çmim ky që iu nda nga Ambasadori Michael Davenport – Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Çmimi për “TV Storjen më të mirë të vitit”, iu dha gazetares nga Radio Televizioni i Kosovës, Valdete Osmani. Çmimi u nda nga anëtarja e Bordit të AGK-së, Naile Dema Selmani.
Teksa, në kategorinë “Web storja më e mirë e vitit”, u shpërblye gazetari i Radio Evropës së Lirë, Arton Konushevci, me storjen “Qindra placenta kutërbojnë në Gjinekologji”. Çmimi u nda nga Drejtorja Ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi Bojaj.
Ndërsa, në kategorinë “Kameramani më i mirë i vitit”, u shpërblye kameramani Deniz Sllovinja nga KALLXO.com. Çmimi u nda nga kameramani Sylejman Kllokoqi.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, në këtë ceremoni gjithashtu nderoi me mirënjohje për kontributin e çmueshëm shumëvjeçar në gazetarinë e vendit kolegët tanë gazetarë dhe kameramanë që kanë ndërruar jetë përgjatë vitit 2020 dhe 2021.
Çmimet Vjetore për Gazetari 2021 u rikthyen pas gjashtë vitesh me mbështetjen Misionit të OSBE-së në Kosovë, dhe me anë të këtyre çmimeve synojmë që çdo vit të nderohen gazetarët për punën që bëjnë.