Lajmet

Falënderim dhe mirënjohje për punonjësit medial për punën gjatë vitit 2023


3290-title

Në ditën e fundit të vitit 2023, duam të shprehim falënderim dhe mirënjohje për të gjithë kolegët tanë gazetarë, kameramanë dhe fotoreporterë për punën e jashtëzakonshme, të palodhshme e tejet sfiduese që e kanë bërë për gjatë vitit.

Viti 2023, shënon vitin me më së shumti raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve e medieve, që janë raportuar në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.

Gazetarët dhe kameramanët, si asnjëherë më parë rrezikuan sigurinë e tyre fizike duke raportuar në kushte të jashtëzakonshme, në muajin maj dhe qershor nga veriu i Republikës së Kosovës. Andaj, ju jemi mirënjohës që misionin për informimin e qytetarëve, e bëtë në kushte tejet të rënduara, pa mjetet e nevojshme të punës, dhe e pa u frikësuar.

Falënderim e mirënjohje edhe për të gjithë kolegët tjerë që kanë raportuar nga terrenet e tjera të ndryshme, e janë kërcënuar nga qytetarë, zyrtarë, pjesëtarë të sigurimit dhe persona publik.

Një falënderim publik i drejtohet edhe Juristes së Drejtës së Medias, Flutura Kusari, me ndërmjetësimin e së cilës u mundësua të sigurohet një donacion nga Free Press Unlimited dhe Reporters sans frontières / Reporters Without Borders / RSF, me mjete mbrojtëse për gazetarët dhe kameramanët që raportojnë nga terrenet me rrezikshmëri të lartë.

Gjithashtu, falënderim i veçantë u drejtohet të gjithë kolegëve që punojnë në kohë festash për të informuar publikun.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës falënderon kolegët për besimin e dhënë në raportimin e rasteve përgjatë vitit 2023, dhe i inkurajon që të mos hezitojnë t’i raportojnë këto raste në të ardhmen.

AGK-ja, njëherësh falënderon të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe vendore, ambasadat, European Centre for Press and Media Freedom ECPMF dhe Safe Journalists për bashkëpunimin dhe mbështetjen e dhënë përgjatë këtij viti.

Share this Post: