Fushatë e rrezikshme me video-montazhë ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është thellësisht i shqetësuar me një video-montazhë ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj, gjatë një paraqitjeje televizive. Sipas materalit të publikuar nga Mehmetaj, një citat, i lexuar nga një postim i një personi të tretë në Facebook, i mveshet si deklaratë atij.
Videoja është montuar në atë formë që të duket se Mehmetaj shanë votuesit e Vetëvendosjes. Kjo video e fabrikuar është shpërndarë në dhjetëra faqe që e përkrahin këtë parti politike dhe qeverinë e zotit Kurti, duke nxitur mijëra komente negative.
AGK-ja e konsideron këtë një formë të re, të papranueshme dhe shumë të rrezikshme të sulmeve ndaj gazetarëve. Video të tilla vënë në rrezik sigurinë fizike të gazetarit Mehmetaj, dhe AGK-ja e nxitë atë që t’i paraqesë faqet e Facebookut në Policinë e Kosovës.
AGK-ja e fton partinë politike, Vetëvendosje dhe përkrahësit e saj që të heqin dorë nga format e rrezikshme të fushatave, që kanë për qëllim intimidimin dhe dengrimin e gazetarëve në Kosovë.











