Lajmet

GRATË NË PRISHTINË KANË MË SË SHUMTI PRONA, ATO NË ZONA RURALE MË SHUMË HEZITIM, PAK INFORMIM


3608-title

Shkruan: Florandë Morina

Gjithçka nis me të paktën 10 dokumente. Aplikacioni i plotësuar nga parashtruesi i kërkesës, kopje e letërnjoftimit, autorizimi për përfaqësim, aktvendimi dhe aktgjykimi i plotëfuqishëm dhe dokumente tjera duhet t’i posedojë kushdo që dëshiron të regjistrojë pronën në emrin e vet në Republikën e Kosovës.

Të gjitha këto më pas dorëzohen në zyrat pritëse të drejtorive komunale të Kadastrit.

Këtu nuk përmbyllet gjithçka. Procedura e regjistrimit të pronës mund të zgjasë më së gjati, më shumë se një dekadë në rastet kur ka kontest, pra mospajtueshmëri mes palëve për një pronë të caktuar dhe trajtohen në Gjykatë. Në këto raste, shumë shpesh pësojnë gratë. Po ashtu, ngarkesa financiare është e madhe.

Anton Nrecaj, drejtor ekzekutiv në Qendrën për Ndihmë Juridike Falas dhe Zhvillim Rajonal (CLARD), thotë se vetëm gjatë vitit që lamë pas në këtë organizatë kanë kërkuar mbështetje juridike pa pagesë, 225 qytetarë. 65% e këtyre kërkuesve janë burra, dhe 35 % janë gra.

“Rastet që procedohen në Gjykatë, mesatarja është 6 deri në 7 vite për të përfunduar një rast. Kostoja e një rasti nëse adresohet në Gjykatë është 2 mijë euro. Ka situatë ku rasti shkon deri në 10 apo 12 vite për vërtetim të pronësisë. Nga 225 raste, janë vetëm 23 raste që kanë përfunduar në aspektin trashëgimor ku nuk pasur kontest. Kostoja e këtyre është përafërsisht 1 mijë e 500 euro ose 2 mijë”, shpjegon Nrecaj.

Megjithë vështirësitë, në total në vendin tonë janë 127,010 gra që kanë realizuar plotësisht të drejtën e tyre në pronë. Kurse burra janë gati katërfish më shumë.

Në një përgjigje nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, mbi të dhënat për pronësinë, tregohet se në tërë territorin e vendit janë mbi 600 mijë pronarë, prej tyre pak më shumë se gjysmë milioni, janë burra.

Llogaritur në përqindje, 20.2% e të gjithë qytetarëve që kanë prona janë gra, derisa, 79% burra.

Sa i përket demografisë, numri më i madh i grave që zgjodhën të realizojnë të drejtën e tyre në pronë, vjen nga Prishtina. Ky numër, tejkalon shifrën prej 13 mijë. Krahasuar me 34 komunat tjera, sipas statistikave të Agjencisë Kadastrale, vetëm kryeqyeti zë mbi 10% të numrit total.

Në përgjigjen e Drejtorisë së Kadastrit të Komunës së Prishtinës, thuhet se vetëm më 2024 si aplikues për të regjistruar pronën janë paraqitur 7084 burra kurse 667 gra, pra dhjetëfish më pak.

Komuna nuk ka të dhëna sa i përket aplikueseve që vijnë nga fshatrat e Prishtinës.

Shumë më keq qëndrojnë komunat tjera, me një mesatare prej 3 mijë gra pronare.

Sipas Nrecajt, kjo ka të bëjë me avokimin dhe qasjen më të lehtë në informacion që kanë gratë që jetojnë në qytete më të mëdha.

“Nëse flasim për kërkesat që vijnë nga gratë, ato më së shumti janë nga zonat urbane, pra qytetet. Sepse ka më shumë informim dhe vetëdijësim. Ndërkaq kërkesat nga gratë që jetojnë në zona rurale janë shumë të vogla. 2-3% është përqindja e kërkesave nga këto gra, në raport me ato urbane.”, thotë Nrecaj.

Se ka dukshëm më shumë interesim për këtë proces në qytete më të mëdha, e thonë edhe nga organizata jo qeveritare, Advocacy Training and Resource Center, (ATRC) që kanë nisur bashkë me Bankën Botërore një fushatë të gjerë vetëdijësimi dhe ndihme për regjistrim të pronës.

“Fushata derë më derë që ka filluar në muajin gusht është duke përfunduar brenda muajit janar 2025 me mbi 6 mijë familje të vizituara për ndërgjegjësim mbi të drejtën pronësore. Pyetësorët që janë plotësuar nga ekipet e terrenit, tregojnë se ka dëshirë, por edhe hezitim nga gratë për të ndërmarrë veprime", thotë Odeta Naks, menaxhere e projektit Nisma për të Drejtën e Pronës në ATRC.

Tutje Naks sqaron telashet më të shpeshta me të cilat përballen gratë e intervistuara.

“Vështirësitë më të shpeshta hasen te legalizimi i banesave, që janë në pronë komunale si dhe trashëgimia e cila shpesh nuk është kryer, por edhe nëse kryhet, gjasat janë që të hiqet dorë prej saj në favor të pjestarëve meshkuj të familjes”, qartësohet në përgjigje.

Edona Shala, sociologe, përshkruan faktorët që ndikojnë te gratë për të zgjedhur ose jo realizimin e të drejtës së tyre në pronë, varësisht nga hapësira gjeografike ku ato jetojnë.

“Jetesa në zonat rurale shpesh ndikon në mungesën e informacioneve për të drejtat e grave për shkak të disa faktorëve. Izolimi gjeografik kufizon qasjen e grave në shërbime publike, institucione dhe organizata që ofrojnë informacione dhe mbështetje. Mungesa e infrastrukturës, si rrugë të mira dhe transport publik, e bën të vështirë pjesëmarrjen në aktivitete edukative apo trajnime që mund të rrisin ndërgjegjësimin e tyre”, thotë Shala.

Efekt jo aq pozitiv, sipas saj kanë edhe rregullat dhe traditat e jetesës në zona më të vogla.

“Për më tepër, normat tradicionale dhe patriarkale që dominojnë në këto zona shpesh kufizojnë rolin e grave në shoqëri, duke ndikuar në vetëdijen e tyre për të drejtat që u takojnë. Në këto komunitete mungojnë shpesh edhe organizata mbështetëse që do t’u ofronin informacione dhe ndihmë. Si rezultat, këta faktorë krijojnë një mjedis që ndikon negativisht në fuqizimin e grave dhe aftësinë e tyre për të kërkuar të drejtat e tyre”, përfundon ajo.

Sfida ende më të mëdha për të drejtën në pronë, hasin gratë të cilat i takojnë komuniteteve në Kosovë, posaçërisht ato të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Ndërkaq lajm i mirë është fakti se së fundmi certifikata e pronësisë mund të nxirret në çfarëdo kohe në E-Kosova dhe është e vlefshme si dëshmi në zyrat e administratës dhe noterisë.

--

Ky projekt është pjesë e iniciativës së UN Women, “Adresimi i ndikimeve të dhunës me bazë gjinore në Kosovë dhe fuqizimi i të mbijetuarve/eve për të luftuar stigmën dhe për të folur hapur”, mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë.

Share this Post: