Lajmet

IFJ shënon 100 vjetorin e themelimit, Zuliana Lainez nga Peru zgjedhet kryetare


4072-title

Rreth 300 delegatë, gazetarë dhe punonjës medial nga mbarë bota janë mbledhur këtë javë në Paris për Kongresin shekullor, 100 vjetorin e themelimit dhe funksionimit të Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve (IFJ - International Federation of Journalists)

Zuliana Lainez Otero, gazetare dhe kryetare e Asociacionit Kombëtar të Gazetarëve nga Peru (ANP), është votuar nga delegatët për udhëheqjen me IFJ-në 3 vitet e ardhshme. Ajo është gruaja e parë nga Amerika Latine dhe Karaibet që do të udhëheqë me organizatën më të madhe botërore të gazetarëve. Nënkryetar Senior është zgjedhur Nasser Abu Baker nga Palestina, kurse dy nënkryetarët tjerë janë Zied Dabbar nga Tunizia dhe Jennifer Moreau nga Kanadaja.

“Të gjithë ne këtu jemi gazetarë dhe anëtarë të sindikatave. Ne përfaqësojmë kolegët tanë dhe kemi detyrimin të sigurojmë kushte më të mira jetese dhe pune për ta. Duhet të luftojmë kundër pandëshkueshmërisë në rastet kur kolegët tanë na janë vrarë. Duhet t’i nderojmë parimet themelore të gazetarisë. Gazetaria është kërkimi i së vërtetës”, ka thënë kryetarja Lainez Otero në fjalimin e saj . Mandati i Kryesisë së re të IFJ-së është nga 2026 deri më 2029.

Në këtë Kongres janë miratuar një sërë mocionesh për sitautën e rëndë të gazetarëve në Gaza e Liban, për nevojën për përdorim të përgjegjëshëm të AI-së në media, për transmetues publik që duhet të mbeten të pavarur e të pandikuar politikisht (duke përfshirë në Kosovë), si dhe tema tjera që lidhen me vështirësitë e gazetarëve për të bërë punën e tyre të papenguar në pjesë të ndryshme të botës. Është miratuar edhe mocioni i inicuar nga Franca, Spanja dhe Kosova që ka për synim krijimin e një rrjeti për të ndihmuar gazetarët në ekzil, që janë të vendosur në Evropë, si të larguar nga zonat e luftës.

Kryetari i Bordit, Xhemajl Rexha dhe drejtorja ekzekutive Getoarbë Mulliqi e kanë përfaqësuar AGK-në në këtë Kongres. Kosova ka të drejtë në 3 vota, sipas madhësisë së organizatës dhe numrit të anëtarëve.

Fotot: Frédéric Moreau de Bellaing & SafeJournalists

Post Gallery

Share this Post: