Intimidim ndaj gazetareve të QIKAs
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me shqetësim ka pranuar informatën nga koleget e QIKAs për shqetësimin e vazhdueshëm që i është bërë atyre nga një mësimdhënës (emër i njohur për ne), lidhur me një lajm të publikuar në nëntor të vitit të kaluar.
Në emailin dërguar AGK-së, QIKA ka njoftuar se bëhet fjalë për një rast të pretenduar të ngacmimit seksual në shkollën “Nazmi Zhegrova”, të fshatit Stanoc i Ulët në Komunën e Vushtrrisë, të raportuar fillimisht nga koha.net, i cili është ripublikuar duke e cituar mediumin, dhe pa ia përmendur emrin mësmidhënësit.
“Me datë 26 shkurt 2024, në rrjetet sociale të QIKA ka shkruar mesazhe mësimdhënësi, i cili ishte i akuzuar nga një nxënëse për ngacmim seksual. Ai ka kërkuar nga QIKA që të largoj lajmin për këtë rast, sepse sipas tij kjo ka qenë një shpifje. I njëjti vazhdimisht ka telefonuar dhe ka shkruar mesazhe në rrjetet tona sociale, si dhe në email. Me datë 4 mars 2024, ai ka ardhur tek zyret tona duke shqetësuar stafin e QIKA me kërkesën e tij për të larguar lajmin, duke u thirrur në një vendim të Drejtorisë së Arsimit në Vushtrri, i cili sipas tij e shfajëson atë. Mbrëmë me datë 12 mars 2024, ai ka shkruar prapë mesazh në rrjetin social Instagram duke thënë se 'mos um shtyni me ardh edhe niher te ju a me kuptuat.'”, thuhet në njoftimin drejtuar AGK-së.
Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, kontaktimi i vazhdueshëm i stafit të QIKAs, vizita në zyrat e redaksisë, përbën presion direkt mbi punën e gazetarëve dhe e konsideron si formë të frikësimit ndaj tyre. Andaj, AGK-ja, i bën thirrje publike mësimdhënësit në fjalë që të ndalojë se shqetësuari stafin e QIKAs, dhe nëse e konsideron të nevojshme, të bëjë ankesë në organet vetërregulluese të medieve online.
AGK-ja, i bën thirrje Policisë së Kosovës ta trajtojë rastin me prioritet në mënyrë që gazetaret ta kryejnë punën e tyre pa u penguar dhe frikësuar.