Ish-drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion dhe organizata “ÇOHU” përballën në gjykatë
Foto: AGK
PRISHTINË, 18 prill 2018 – Në Gjykatën Themelore të Prishtinës është mbajtur seanca e shqyrtimit kryesor të kontestit civil ndërmjet ish-drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) dhe organizatës jo qeveritare “ÇOHU”.
Gjatë kësaj seance, palët e përfshira në këtë çështje gjyqësore i kanë paraqitur pretendimet e tyre në lidhje me padinë për shpifje të cilën e kishte ushtruar Agjencia Kundër Korrupsionit dhe ish-drejtori i saj, Hasan Preteni kundër organizatës “ÇOHU”.
Në vitin 2012, Preteni kishte paditur organizatën “ÇOHU” me pretendimin se kjo organizatë në njërin nga hulumtimet e saja në vitin 2011 ka shpifur ndaj tij si drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe institucionit që ai kishte udhëhequr.
Në bazë të hulumtimit të organizatës “ÇOHU”, kjo organizatë kishte vërejtur se agjencia e drejtuar nga Preteni, në deklarimin e pasurisë së zyrtarëve publik në qershor të vitit 2011 nuk i kishte publikuar bizneset e shtatë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Pas disa muajsh, sipas organizatës “ÇOHU”, bizneset e këtyre deputetëve ishin publikuar në regjistrat e deklarimit të pasurisë në AKK.
Gjatë fjalës së tij në këtë çështje gjyqësore, Preteni ka thënë se ky veprim i organizatës “ÇOHU” është bërë për ta sulmuar dhe denigruar atë personalisht dhe për ta zvogëluar kredibilitetin e qytetarëve në Agjencinë Kundër Korrupsion.
“Në mënyrë kronologjike janë të evidentuara se paku 30 veprime të tyre. Në aspektin e veprimeve te agjencisë, çdo vendim, çdo veprim është atakuar nga ta. Kjo do te thotë së këta në vazhdimësi më kanë atakuar mua personalisht dhe agjencinë”, tha Preteni.
Arton Demhasaj nga “ÇOHU” i ka hedhur poshtë pretendimet e Pretenit duke thënë se organizata që ai përfaqëson, qoftë si person juridik apo punonjësit e saj si persona fizik, nuk kanë pasur për qëllim denigrimin e Agjencisë Kundër Korrupsion apo bartësin e këtij institucioni, dhe se puna e tyre është ta mbrojnë interesin publik duke i monitoruar institucionet publike.
“Ne çdo ditë publikojmë raporte të keqqeverisjes dhe në momentin që një person merr funksion publik, nuk kemi të bëjmë me personalitetin e tij, por me punën që ai e bën. Ne nuk e kemi njohur personalisht z. Preteni, deri sa ai është zgjedhur drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit, dhe me përgjegjësi e them se e gjithë çështja që është parashtruar ndaj nesh nuk ka te bëjë me çështje të shpifjes dhe fyerjes, mirëpo ka të bëjë me punën tonë si monitorues i institucioneve publike”, ka thënë Demhasaj
Tutje, Demhasaj ka thënë se në bazë të hulumtimeve të cilat i kishte zhvilluar organizata “ÇOHU”, ishte vërejtur se bizneset e shtatë deputeteve janë vendosur jashtë afatit ligjor në deklarimin e pasurisë nga Agjencia Kundër Korrupsionit.
“Ne rastësisht e kemi pa se në vjeshtë të vitit 2011 bizneset e deputetëve kanë dalë në regjistër të agjencisë, biznese këto të cilat nuk kanë qenë në muajin qershor kur dhe është bërë deklarimi i pasurisë nga zyrtarët publik. E kemi vërejtur se këto biznese janë vendosur në regjistër jashtë afatit ligjor”, ka deklaruar ndër tjera Demhasaj.
Gjatë kësaj seance përfaqësuesi ligjor i Agjencisë Kundër Korrupsionit, i cili ishte emëruar sipas detyrës zyrtare nga avokatura e shtetit, ka deklaruar se ai nuk e ka pranuar padinë dhe provat tjera relevante të kësaj çështje gjyqësore, me ç’rast ka kërkuar që kjo seancë të shtyhet për ndonjë datë tjetër.
Përveç përfaqësuesit ligjor, provat e kësaj lëndë nuk u janë dorëzuar as palëve të tjera ndërgjyqëse. Në mungesë të pranimit të provave, gjyqtarja e këtij rasti, Mevlide Kosumi – Qarri, ka marrë vendim që kjo seancë e shqyrtimit kryesor të vazhdohet me datë 10 maj ku dhe do të shqyrtohen provat e palëve në këtë çështje civile.
Kujtojmë se Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tash e sa muaj ka filluar t’i monitoroj dhe të raportoj nga afër për të gjitha rastet gjyqësore në të cilat janë të përfshira mediet, organizatat dhe gazetarët.
Prandaj, AGK inkurajon të gjithë akterët e fushës se medieve dhe shoqërisë civile, të cilët përballën me çfarëdo çështje gjyqësore ta njoftojnë organizatën në mënyrë që të mund t’i përcjellim nga afër këto raste gjyqësore.
Konsiderojmë se monitorimi dhe raportimi i AGK-së, do të ketë ndikim të drejtpërdrejt në një gjykim të drejtë dhe transparent për të gjitha palët në konteste të ndryshme gjyqësore.











