Koalicioni për Lirinë e Medias dhe Rrjeti SafeJournalists: Policia të mos sulmojë gazetarët, por t’i mundësojë atyre të punojnë të sigurt
Koalicioni për Lirinë e Medias dhe Rrjeti SafeJournalists dënojnë ashpër sulmet ndaj gazetarëve dhe përdorimin e tepruar të forcës kundër qytetarëve nga policia gjatë protestës së djeshme në Serbi. U bëjmë thirrje organizatorëve të protestës, pjesëmarrësve dhe policisë që t’u mundësojnë gazetarëve dhe punonjësve të medias të punojnë pa probleme dhe të sigurt, në mënyrë që ata të mund të përcjellin në mënyrë të besueshme ngjarjet e protestës për publikun.
Në protestën e djeshme të organizuar nga koalicioni “Serbia kundër dhunës” (,,Srbija protiv nasilja”), gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë, ekipi i televizionit Al Jazeera është sulmuar nga policia. Gazetarja e këtij televizioni Jelena Glusac thotë se një polic e ka kapur për qafe kameramanin dhe e ka larguar që të mos regjistrojë arrestimin e demonstruesve.
“Policia mbërriti shpejt dhe dy-tre prej tyre kapën njërin nga pjesëmarrësit. Ne ishim live në program në atë moment. Kërkonim të largoheshim dhe të mos shqetësonim policinë, por edhe të ishim aty për të transmetuar gjithçka live. Pra, ky ishte një reagim i policisë për filmimin tonë të një prej arrestimeve. Më pas një polic iu afrua kameramanit nga pas, e kapi për qafe dhe i bërtiti ‘Çfarë po filmon këtu’. Unë reagova për këtë dhe i thashë se ne jemi gazetarë, për të cilën ai u përgjigj se nuk mund të filmojmë dhe të lëvizim”, tha gazetarja e Al Jazeera, Jelena Glusac.
Gazetari i Nova.rs Andrija Lazarevic është goditur me shkop në dorë nga një polic. Ai për televizionin Nova S tha se po raportonte se çfarë po ndodhte në “qender” të protestës kur kordoni i policisë filloi të shtypte qytetarët dhe se më pas një polic e goditi me shkop në dorë edhe pse ai nuk po i pengonte rrugen.
Një polic ka tentuar t’i rrëmbejë kamerën fotoreporteres Beta, por fatmirësisht ngjarja ka përfunduar pa pasoja të rënda.
Gjithashtu, duke hedhur gaz lotsjellës ndaj demonstruesve, policia ka penguar gazetarët të kryejnë punën e tyre.
Në protestë u regjistruan edhe disa incidente të tjera, ndërsa mbledhja e informacioneve për të është ende në vazhdim.
Koalicioni për Lirinë e Medias dhe rrjeti SafeJournalists i dënojnë ashpër këto sulme dhe u bëjnë thirrje autoriteteve kompetente që të identifikojnë dhe të nisin procedurat kundër personave nga Ministria e Punëve të Brendshme të cilët kanë sulmuar fizikisht gazetarët gjatë raportimit të ngjarjeve me rëndësi publike.
Punonjësit e policisë janë të detyruar t’u mundësojnë gazetarëve dhe punonjësve të medias të punojnë në mënyrë të sigurt, të ofrojnë informacionin e nevojshëm dhe të bashkëpunojnë në mënyrë që lëvizja e gazetarëve dhe ekipeve të tyre të jetë e papenguar. Kujtojmë opinionin publik se rasti i rrahjes brutale të gazetarit Zhikica Stevanoviq nga pjesëtarët e xhandarmërisë nga korriku i vitit 2020 ende nuk ka marrë perfundim ligjor. Përveç prokurorisë kompetente, me rastin është duke u marr edhe kontrolli i brendshëm i policisë, e cila as pas tri vitesh nuk e ka përfunduar procedurën e kontrollit.
Ftojmë gazetarët dhe punonjësit e medias që menjëherë t’i raportojnë të gjitha sulmet në polici dhe shoqatat e gazetarëve në mënyrë që të veprojnë në përputhje me mekanizmin për raportimin dhe ndjekjen penale të autorëve, i cili është krijuar në kuadër të Grupit të Përhershëm të Punës për Sigurinë e Gazetarëve.
Gazetarët mund të raportojnë sulme ndaj Asociacionit të Gazetarëve të Pavarur të Serbisë në numrin e telefonit 060/688-22-31, i cili është aktiv 24 orë në ditë.
Kujtojmë gazetarët se, për të shmangur incidentet e mundshme në protesta, ato duhet të jenë të idenifikuar në mënyrë të dukshme. Jelekët “PRESS” mund t’i merrni në zyrën e IJAS-it, Resavska 28/2, nga ora 10:00 deri në orën 17:00, ose telefononi në numrin tonë të telefonit për të organizuar një lloj tjetër dërgese.
Çdo sulm ndaj gazetarëve prek interesin publik, demokracinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 25.12. 2023
Koalicioni për Lirinë e Medias: Shoqata e Mediave, Shoqata e Mediave Online (AOM), Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Vojvodinës (NDNV), Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë (NUNS), Shoqata e Biznesit të Mediave Lokale dhe të Pavarura “Local Press” dhe Fondacioni Slavko Curuvija
Rrjeti i SafeJournalists: Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës; Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë; Shoqata e Gazetarëve të BH; Shoqata e Gazetarëve Kroatë; Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë dhe Sindikata e Mediave të Malit të Zi