Krijimi i mundësive të barabarta nëpërmjet sportit në Kosovë dhe Irlandën Veriore
Krijimi i mundësive të barabarta nëpërmjet sportit në Kosovë dhe Irlandën Veriore
Brenda dhe jashtë fushës, sporti luan një rol kyç për të zhvilluar raporte më të mira ndërmjet të rinjëve në shoqëritë e ndara.
Irlanda Veriore dhe Kosova vazhdojnë të dalin nga konfliktet që kanë shkatërruar të dyja shtetet, dhe kanë lënë pas një trashëgimi të urrejtjes mes komuniteteve.
Sidoqoftë, në fushën sportive në të dyja shtetet, po bëhet punë që të tejkalohen këto ndarje.
Sporti për kohë të gjatë ka qenë element ndarës në jetën e Irlandës Veriore.
Duke u rritur, fëmijët kanë luajtur në shkollat e segreguara ku kanë shkuar, me rreth 90 % të fëmijëve në Irlandën Veriore që vazhdojnë të edukohen ndaras, sipas një hulumtimi të Universitetit Ulster.
Protestantët kryesisht luajnë ragbi, kriket apo hokej, kurse katolikët luajnë futboll Gaelic, hurling apo camogie.
Ka disa sporte që i luajnë të dyja palët, sikurse futbolli dhe atletika, por sporti është parë si simbol i ndarjeve në Irlandën Veriore.
Ndërtimi i paqes nëpërmejt sportit në Irlandën Veriore
Sidoqoftë, një grua e re protestante që dikur ishte katolike po luan rol të rëndësishëm në ndërtimin e paqes në Irlandën Veriore.
Aoife REDMOND. Foto e përdorur me leje.
Aoife Redmond beson se prejardhja e saj i jep në një formë një perspektivë të veçantë në përpjekjet për të forcuar marrëdhëniet ndërmjet të rinjëve nga komunitete tradicionalisht të ndara katolike dhe protestante.
Ajo është koordinatore rajonale e programeve në Peace Players, një organizatë që i bën bashkë të rinjtë nëpërmjet basketbollit.
“Motoja e organizatës sonë është që fëmijët që luajnë bashkë mund të mësohen të jetojnë bashkë”
Peace Players u nis në vitin 2001 nga vëllezërit amerikanë Sean dhe Brendan Tuohey, për t’i sjellë së bashku të rinjtë nga rajone të ndryshme që kanë ndarje.
Organizata udhëheq projekte në Irlandën Veriore, Afrikën e Jugut, në Lindjen e Mesme, dhe 5 qytete në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Aoife u lind në Dublin në vitin 1994 — viti i armëpushimeve paramilitare që dhanë shpresë për nsijes e procesit të paqes në Irlandën Veriore – dhe u pagëzua katolike.
Megjithatë, si tinejxherë, ajo u konvertua në protestante, dhe erdhi për herë të parë në Irlandën Veriore nëpërmjet punës së saj me Kishën Metodiste.
Tani 29 vjeç Aoife iu bashkua organizatës Peace Players, në vitin 2017.
Derisa provohet që të ndërtohen raporte më të mira ndërmjet të rinjëve, ajo thotë se është e rëndësishme të kuptohen realitetet e jetëve të tyre:
“Të gjithë fëmijët që vijnë në programet tona, e dijnë kontekstin e të qenit nga Irlanda Veriore. Ata i dijnë vështirësië që ende ekzsitojnë dhe e dijnë si ka qenë në të kaluarën.
“Ne jemi shumë të hapur me ta dhe u themi që Peace Players ekziston për ta bërë këtë më të lehtë.
“Shumë fëmijë, sidomos ata që jetojnë në zona të izoluara, ndoshta nuk do ta kishin mundësinë që të ulen dhe të kenë një bisedë me një fëmijë me prapavijë ndryshe, nëse ne nuk do të krijonim hapësira të sigurta që ata ta bënin një gjë të tillë”.
“Ka të bëjë me gjetjen e gjërave të përbashkëta njerëzore dhe këtë lidhjen njerëzore”.
Një nga të rinjtë që ka përfituar duke marrë pjesë në programet e Peace Players është Rachel, katolike nga Belfasti.
Ajo mori pjesë në një program në të cilin shkolla e saj u bë bashkë me një shkollë protestante afër saj.
Për Rachel dhe shokët e saj të klasës, kjo ishte hera e parë që luajti me fëmijë protestantë.
“Kam pasur shumë opinione për anën tjetër, që janë formuar nga lagjja ku jam rritur.
“Duke shkuar në këtë program, isha shumë e frikësuar, por e kuptova që shumë gjëra që ishin thënë nuk ishin të vërteta”.
Miqësi për gjithë jetën u formuan mes katolikëve dhe protestantëve, si rezultat i partneritetit mes këtyre dy shkollave.
Fuqizimi i vajzave në futboll
Sporti po luan rol të rëndësishëm për t’i bërë bashkë komunitetet e ndara në Kosovë.
Armenda FILIPAJ (KFV Prishtinë), Suada JASHARI (kryetrajnere e KFV Prishtinë) dhe Erlinda ORLLATI. Foto e përdorur me leje.
Armenda Filipaj është themeluese e Klubit të Futbollit të Femrave Prishtina, një ekip futbolli që i bën bashkë vajzat nga komunitetet e ndryshme në kryeqytetin e Kosovës.
“Roli im në klub nënkupton zhvillimin e një programi që i fuqizon vajzat në futboll dhe avokon për barazi gjinore.
“Vajzat nga komunitete të ndryshme kanë marrëdhënie të mira dhe komunikojnë në anglisht mes vete.
Amina ZEKIC. Foto e përdorur me leje.
“Organizojmë ndeshje miqësore sa herë që kemi mundësi, me synimin për të thyer barrierat ndër-etnike, dhe për t’u ndihmuar vajzave të kuptojnë se nuk janë ndryshe nga njëra-tjetra.
“Në këtë aspekt, futbolli shërben si një mjet i shkëlqyeshëm i komunikimit ndërmjet komuniteteve.
Armenda thotë se të gjitha vajzat në ekip trajtohen njëjtë.
“Kemi pasur mundësinë që të udhëtojmë bashkë për përgatitje në Shqipëri, Milan dhe Barcelona, dhe vajzat janë lidhur shumë me njëra-tjetrën.
“Vajzat kanë krijuar një raport të fortë me njëra tjetrën, dhe madje e ndjekin njëra tjetrën në mediat sociale, që do të thotë se mund të komunikojnë edhe jashtë fushës”.
Amina Zekic është një nga lojtaret e KFV Prishtina, një boshnjake që u mirëprit nga ekipi që përbëhet kryesisht nga shqiptare të Kosovës:
“Miqësitë që i kam krijuar me bashkëlojëtaret e mia shkojnë përtej fushës; ne shpesh dalim bashkë dhe ndajmë dashurinë që kemi për lojën e futbollit.
“Të qenit pjesë e këtij ekipi jo vetëm që përmirëson aftësitë e mia, por edhe përforcon lidhjet e mia me komunitetin.
“Të qenit në ekipin tim është një përvojë e mrekullueshme.
“Kemi një sens të fortë të miqësisë dhe e përkrahim njëra tjetrën. Të gjitha vijnë me pikat e forta, dhe ne punojmë bashkë për të përmirësuar aftësitë tona dhe për të arritur qëllimet tona.
“Të qenit pjesë e këtij ekipi më përmbush, dhe shton shumë gëzim në jetën time në komunitet. “
Amina e pranon se kur iu bashkua në fillim ekipit kishte “frikë”.
“Në fillim, nuk e njihja askë aty, por më pas gjithçka ndryshoi.
“Unë përfaqësoj komunitetin tim duke treguar punë ekipore, dedikim dhe respekt për gjithçka që bëj.
“Qoftë në fushë, apo jashtë saj, unë punoj që të jem model pozitiv dhe të inkurajoj të tjerët.
“Duke punuar shumë dhe duke përkrahur bashkëlojtaret e mia, shpresoj të insiprojë të tjerë në komunitetin tim që të bëhemi bashkë dhe të arrijmë gjëra të mëdha”.
Katie LISTON (Universiteti i Ulsterit). Imazhi i përdorur me leje.
Potenciali i sportit
Derisa fuqia e sportit në ndërtimin e paqes është evidente në shumë shtete, një akademike që ka shkruar gjerësisht për këtë temë, thotë se duhet pasur kujdes për të mos e mbivlerësuar ndikimin që sporti mund të ketë në shoqëritë e ndara.
Dr Katie Liston, ligjëruese seniore në Universitetin e Ulsterit në Belfast, thotë:
“Të thoni që sporti mund të bashkojë komunitetet është një veprim shumë i guximshëm.
“Prandaj unë mendoj se një pikë startuese më gjenerale do të ishte që të thuhet se sporti ka potencial për t’i bërë njerëzit bashkë.
“Mund të jetë një ngjitës social, por duke i sjellur njerëzit bashkë, gjithashtu e ka potencialin që të reflektojë në disa prej ndarjeve që kanë ndodhur më herët, ose edhe t’i bëjë ndarjet akoma më të thella.
“Pra, të gjitha paralajmërimet duhet të jenë aty, thjesht sepse sporti është pjesë e kulturës.
“Është sikur arti, muzika dhe drama. Njerëzit duke krijuar raporte me njerëz tjerë.
“Prandaj, jo domosdoshmërisht sporti mund të sjellë ndryshimin pozitiv.
“Janë krejt njerëzit në sport dhe në trajnime, siç duhet të jenë krejt njerëzit në art, muzikë dhe dramë, që mund të sjellin ndryshimet pozitive.
Dr Liston thotë se ka pasur shumë shembuj nëpër botë, duke përfshirë Irlandën Veriore dhe Kosovën, ku sporti ka luajtur rol të rëndësishëm në bërjen bashkë të njerëzve nga prapavija të ndryshme.
“Ka disa shembuj të mirë rreth botës, ku në disa raste sporti i ka bërë bashkë njerëzit nga komunitete më herët të segreguara, në mënyra që iniciaitva tjera nuk e kanë pasur mundësnë ta bëjnë.
“Megjithatë, nuk mendoj se ka një model unik i cili mund të parashutohet, dhe se i njëjti do të kryente punë në një kontekst tjetër.
“Mendoj se ndonjëherë liderët e shoqërisë civile mund të kenë rol më të madh sesa liderët politikë, sepse nuk ka një lidhje afatshkurtër, që lidhet me fitimin e votave, apo ciklet elektorale.
“Ju shihni se liderët e shoqërisë civile janë në ato role për një kohë më të gjatë.
“Kur mendoj për sportin si pjesë e këtij lidershipi, mendoj se ka përparësi më të madhe sepse i mban njerëzit në një nivel emocional më gjatë.
“Por, ka një paralajmërim që duhet të jeni shumë të kujdesshëm që kur i sillni njerëzit bashkë si mund ta ndërtoni më pas këtë raport.
Ndërtimi i marrëdhënieve, thotë Aoife, është në zemër të punës së saj në Peace Players.
“T’i shohësh të rinjtë se si qëllimisht i ndryshojnë sjelljet e tyre ndaj njerëzve të tjerë dhe e ndryshojnë qasjen e tyre në jetë, është shumë e fuqishme”.
--
Ky artikull është pjesë e serisë në bashkëautorësi nga Kosova e Irlanda Veriore të gazetarëve që ishin pjesë e projektit për gazetarinë e paqes, inicuar dhe organizuar nga Asociaiconi i Gazetarëve të Kosovës, në partneritet me Shard Future News, dhe financimin e Ambasadës Britanike në Prishtinë. Faktet e prezantuara dhe pikëpamjet e shprehura janë të autorëve dhe janë të pavarura nga secili donacion.











