Lajmet

Kryetari i Bordit të AGK-së, votohet anëtar i Bordit Drejtues të Federatës Evropiane të Gazetarëve


3797-title

Në Kongresin Zgjedhor të Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), i mbajtur më 2–3 qershor 2025 në Budapest, për herë të parë në historinë e EFJ-së, një përfaqësues i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, është zgjedhur anëtar i Bordit Drejtues të kësaj organizate. Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, u zgjodh në këtë pozicion të rëndësishëm, duke shënuar një moment historik të rëndsishëm për përfaqësimin e gazetarëve të Kosovës në nivel evropian.

Kjo ishte hera e parë që EFJ mbajti një takim statutor në Hungari, duke mbledhur mbi 120 gazetarë dhe përfaqësues sindikalë nga 38 vende evropiane. Në këtë takim u zgjodhën 7 nga 11 kandidatët për anëtarë të Komitetit Drejtues për një mandat trevjeçar, si dhe u zgjodhën Presidentja Maja Server dhe Nënkryetari i ri i EFJ-së, Pablo Auiqel Garbarini (SNJ-CGT, Francë). Përpos Rexhës, anëtarët e tjerë të Bordit Drejtues të EFJ-së janë: Andrea Roth (DJV, Gjermani), Allan Boye Thulstrup (DJ, Danimarkë), Renske Heddema (NJV, Holandë), Antonis Repanas (ESIEMTH, Greqi), Aise Banu Tuna (TGS, Turqi) dhe Sergiy Tomilenko (NUJU, Ukrainë).

Roli i Komitetit Drejtues

Bordi Drejtues i EFJ-së është organi më i lartë ekzekutiv i organizatës, që mbledhë reth 300 mijë anëtarë nga i gjithë kontineti. Bordi e ka përgjegjësinë të sigurojë që veprimtaritë dhe projektet e federatës të jenë në përputhje me objektivat strategjike, të mbikëqyrë zbatimin e politikave, të miratojë buxhetet dhe të mbrojë interesat e anëtarëve në nivel evropian. Anëtarët e këtij Bordi janë përgjegjës për vendimmarrje strategjike dhe për të siguruar që federata të funksionojë në mënyrë efikase dhe transparente.

Një hap i madh për gazetarinë kosovare

Zgjedhja e Xhemajl Rexhës në Bordin Drejtues të EFJ-së përfaqëson një njohje të rëndësishme për punën e AGK-së në mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe promovimin e lirisë së shtypit në Kosovë. Ky zhvillim forcon zërin e gazetarëve të Kosovës dhe rajonit, në arenën evropiane dhe hap rrugë për bashkëpunime të reja në mbrojtje të standardeve profesionale dhe etike në gazetari.

May be an image of 11 people

Share this Post: